Pamje nga tryeza për demarkacionin - Foto: KALLXO.com

VV: Sipas Akademisë Kufiri Është në Zhlep e Çakorr

Sipas librit “Kosova – Vështrimi Monografik” të botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve, kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Çakorr.

Kështu tha deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi në një tryezë të organizuar nga Shoqata e Malazezëve të Kosovës për demarkacionin.

“Në faqen 23, përveç tjerash thuhet: Në pjesën veriperëndimore Kosova me Republikën e Malit të Zi, linja kufitare ka gjatësi rreth 87.6 km. Nga trekufiri Kosovë, Mali i Zi dhe Shqipëri e deri te trekufiri Kosovë, Mali i Zi, Serbi, linja kufitare shtrihet nëpër kuotat e larta të Bjeshkëve të Nemuna, Bogiqevicë e Zhlep. Linja kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi prehet me 2 arterie rrugore në Qafë të Kullës dhe Çakorr. Më këtë u pajtua Isa Mustafa në vitin 2011”, tha në mes tjerash Kurteshi.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës, Sllobodan Vujiçiq, tha se malazezët që jetojnë këtu Kosovën e konsiderojnë si atdheun e tyre.

Kurse, profesori universitar Florim Isufi tha se posedon fakte, të cilat do t’i bëjë publike në tryezën e 3 gushtit që mbahet në ambientet e Kuvendit të Kosovës për demarkacionin.

“Unë mund të ju them meqë nga aspekti profesional veç më njihni po edhe të tjerëve se ka fakte të mjaftueshme që nuk janë prezantuar ende, të cilat vërtetojnë për lëvizjen e vijës kufitare nga ajo që ka qenë më herët e deri më tani”, u shpreh Isufi.

Në këtë tryezë të gjitha partitë parlamentare kishin nga një përfaqësues.

Po ashtu, në të morën pjesë edhe ekspertë të fushave të ndryshme e pjesëtarë të shoqërisë civile.

Të gjithë panelistët e kanë vlerësuar lartë këtë takim, i cili i paraprinë takimit të 3 gushtit që do të zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku është paraparë një ballafaqim faktesh ndërmjet zyrtarëve politikë, ekspertëve dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme.

http://kallxo.com/debati-ne-kuvend-per-demarkacionin-3-gusht/

Ndërsa dje i pari i Qeverisë tha se nuk ka hapësirë për një marrëveshje të re për Demarkacionin.

http://kallxo.com/mustafa-nuk-ka-hapesire-per-marreveshje-te-re-per-demarkacionin/