VV: Deportimi i Boikenit Krim ndaj Republikës

Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e “Vetëvendosjes” Aida Dërguti tha se anëtarit të Kryesisë dhe sekretarit për marrëdhënie me jashtë në këtë subjekt Boiken Abazit i është mohuar e drejta për avokat dhe njoftim të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.

Abazi u depërtua dje nga Kosova në Shqipëri, ndërsa atij iu ndalua hyrja në Kosovë për dy vjet.

Dërguti ftoi institucionet kosovare që shtetësinë ta dëshmojnë në raport me Serbinë, e jo Shqipërinë.

“Ne kërkojmë ndërhyrjen e Kryeministrit Edi Rama e të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Pavarësia e Kosovës duhet t’i tregohet e dëshmohet Serbisë dhe jo Shqipërisë. Kufiri midis Kosovës e Shqipërisë është kufi i Jugosllavisë e i Serbisë,” tha Dërguti.

Edhe Albin Kurti foli për dëbimin e aktivistit të “Vetëvendosjes”.

“Kidnapimi dhe dëbimi i Boikenit është krim i këtij regjimi të korruptuar ndaj Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar. Për këtë kidnapim dhe dëbim ne e mbajmë përgjegjës Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe ministrin e tij të brendshëm Skënder Hyseni dhe Drejtorin e Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, Valon Krasniqi,” tha Albin Kurti.

Boiken Abazi u dëbua ngase Policia e Kosovës konstatoi se ai “në mënyrë të paligjshme ka hyrë dhe qëndruar në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për të Huajt”.

http://kallxo.com/boiken-abazi-deportohet-nga-kosova/

Por Aida Dërguti tha se nga Shqipëria në Kosovë Abazi ka hyrë në mënyrë të rregullt nëpërmjet Morinit.

“Në orët e pasdites jemi kthyer në Prishtinë përmes pikës kufitare të Morinës me ç’rast kemi paraqitur dokumente tek zyrtarët e policisë dhe gjithçka ka qenë në rregull. Pse Policia e Kosovës nuk e ka regjistruar Boikenin kur është kthyer në Kosovë nga Tirana, ky nuk është faji i Boikenit por i policisë,” tha Dërguti.

“Vetëvendosja” shprehu habi edhe për fjalinë se Boiken Abazi “paraqet kërcënim për rendin dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës”.

“Si bëhet që kjo nuk thuhet për Vuçiqin, Dinkiqin, Daçiqin e Gjuriqin, por thuhet për Boiken Abazin?! Për më tepër, Boikeni nuk është kontaktuar kurrë as me shkrim, as me gojë, e as me telefon nga policia për t’u paraqitur në polici për shkeljet e aluduara,” tha Dërguti.