Vuçiqit Momentalisht i Mjafton Ndërmjetësimi i BE-së

Gjatë një konference për gazetarë pas takimit me kryetarin e Republikës Serbe të Bosnjës Millorad Dodik, Aleksandar Vuçiq e mohoi se është duke u diskutuar për përfshirjen edhe të ndërmjetësuesve tjerë në dialogun e Brukselit mes Kosovës e Serbisë.

“Mendojmë të mos e ndryshojmë formatin e bisedimeve, por nëse kërkohen ndryshime të mëdha, sigurisht që të gjitha fuqitë e mëdha do të përfshihen”, tha Vuçiq.

Por sipas Vuçiqit në këto momente nuk bëhet fjalë për përfshirjen e të tjerëve në këtë dialog.

Mediet serbe raportuan sot se Gjermania e ShBA-ja mund të jenë pjesë e dialogut të Brukselit, ndërsa treguan se Serbia do të kërkojë edhe pjesëmarrjen e Rusisë në këtë dialog.

Vuçiq më tutje deklaroi se janë të rëndësishme konsultimet me ShBA-në, Gjermaninë, Rusinë, Kinën, por bëri të ditur se tash si ndërmjetësuese është vetëm BE-ja.

“Por ajo që në mënyrë direkte është e përfshirë në bisedimet tona, ajo që di gjithçka për të cilën bisedojmë dhe çfarë bëjmë, që e kontrollon zbatimin e marrëveshjeve- në këtë moment është BE-ja”, tha Vuçiq.

Thaçi e Vuçiq u takuan së fundi të enjten në Bruksel.