Aleksandar Vuçiq. Foto: Beta/Sasa Djordjevic.

Vuçiq reagon ashpër ndaj kërkesës së Amerikës për largim të UNMIK-ut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pas letrës së ish-ambasadores së ShBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikky Haley, për largimin e UNMK-ut nga Kosova.

Ai thotë se një thirrje e SHBA për tërheqjen e një misioni paqeruajtës të OKB-së nga Kosova do ta linte vendin e tij pa zgjidhje tjetër, pos të reagonte për të “mbrojtur” njerëzit e saj në Kosovë.

Megjithatë, Vuçiq nuk ka specifikuar se çfarë lloj veprimi Serbia mund të marrë.

Vuçiç thotë se ky veprim si dhe formimi i mundshëm i ushtrisë së Kosovës, “nuk do t’i linin Serbisë asnjë zgjidhje tjetër”, raporton agjencia e lajmeve AP.

Në lidhje me letrën e ambasadores Haley gjatë ditës ka reaguar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën, Marko Gjuriq duke mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme, ku tha se Serbia beson se miratimi i kësaj iniciative është një “shuplakë ndaj përpjekjeve për paqe” dhe një kthim në politikën e presionit.

Haley kërkesën për tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova e bëri përmes një letre të cilën ia dërgoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Letra është dërguar më 9 tetor, në të njëjtën ditë kur ajo njoftoi se po tërhiqej nga posti i ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara.

https://kallxo.com/para-doreheqjes-ambasadorja-amerikane-ne-okb-kerkoi-largimin-e-unmik-ut-nga-kosova/