Vuçiq: Pavarësisht bllokadës, do të tentoj të shkoj në Banjë të Skenderajt

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se pavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës që i hoqi lejen atij për të vizituar fshatin Banjë të Skenderajt dhe bllokadës së rrugëve nga qytetarë të Skenderajt, ai do të tentojë të shkojë në fshatin e banuar nga komuniteti serb.

Siç raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug, Vuçiq ka thënë se do të përpiqet të shkojë në fshatin Banjë të Skenderajt megjithëse ka shprehur dyshim se do të jenë në gjendje të arrijnë aty.

Qindra qytetarë të komunës së Skenderajt kanë bllokuar nga mëngjesi rrugën që çon drejt fshatit Banjë të Skenderajt.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili po solidarizohet me protestuesit, tha se Vuçiq nuk mund të vijë në Drenicë pa kërkuar falje për viktimat dhe masakrat e kryera nga forcat serbe në vitet 1998/99.