Vritet me Thikë Një i Ri në Pejë

Një i ri nga Peja ka marrë plagë vdekjeprurëse me thikë sot pasdite.

Ndonëse ende nuk janë bërë të qarta rrethanat, gazetari i KALLXO.com nga dëshmitarët ka marrë vesh se i riu I.B. (1997), është goditur me thikë gjatë një loje futbolli.

Ndërsa, në Spitalin Rajonal të Pejës konfirmojnë se një person është sjellë pa shenja jete.

“Një person ka ardhur pa shenja jete në Emergjencën e Pejës në orët e pasdites. Viktima si pasojë e goditjeve nga thika ka humbur jetën”, ka thënë Bekim Rama, mjek kujdestar.

Sipas tij, viktima e rastit është I.B., i lindur më 1997.

KALLXO. com disa herë ka provuar të marrë konfirmim nga Policia, por zëdhënësi Xhevat Ibraj nuk është përgjigjur.

Kjo është vrasja e parë në Pejë pas 17 muajve. E fundit ka ndodhur më 31 dhjetor 2014.