Vritet nga forcat RENEA qytetari që shtiu drejt Policisë

Forcat speciale të Policisë së Shqipërisë, RENEA, pas informacionit se në fshatin Bularat të Gjirokastrës, një shtetas ka qëlluar me armë zjarri në ajër e më pas mbi Policinë, janë vënë në ndjekje të tij.

Në faqen e malit mbi depon e ujit të fshatit Bularat, shtetasi K.K, është lokalizuar nga forcat speciale.

Forcat RENEA i kanë bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por ai nuk i është përgjigjur thirrjes së herëpashershme të Policisë, por ka hapur zjarr me armë duke rrezikuar seriozisht jetën e efektivëve edhe për shkak të terrenit ku mundësia e mbrojtjes ishte e ulët.

Forcat RENEA janë kundërpërgjigjur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi K.K., njofton Policia e Shtetit.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor ku vijojnë veprimet e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë.

Policia e Shtetit ka publikuar fotografi, ku shihen veturat e Policisë të shpuara nga plumbat sipas saj të shkrepura nga i dyshuari K.K.