Vrasje në Korreticë të Drenasit

Sipas komunikatës së Zyrës për Informim të Policisë së Rajonit të Prishtinës, forcat e rendit mbrëmë në orën 18 e 15 kanë marrë informacion për një person të shtrirë në afërsi të shkollës së këtij fshati.

Në komunikatë njoftohet se policia pas daljes së vendin e ngjarjes rastin e ka cilësuar si vrasje.

“Pas konsultimit me prokurorin kujdestar rasti është cilësuar si vrasje dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion,” thuhet në komunikatë.

I vrari sipas komunikatës është 37 vjeçari me inicialet B. C. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor.

Policia njofton se është duke e hetuar rastin, ndërsa ka intervistuar shumë persona.

“Ndërkohë që nga hetuesit policorë me një përkushtim të madh po ndërmerren të gjitha veprimet e duhura operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe [policia] ka zgjeruar rrethin e hetimit duke intervistuar një numër personash në cilësi të dëshmitarëve apo edhe të tjerë,” thuhet në komunikatë.