Vrasja në Gjilan, Prokuroria arsyeton pse nuk urdhëroi bastisje

Prokuroria e Gjilanit ka dhënë shpjegime se pse nuk kishte urdhëruar bastisje në lidhje me rastin e kanosjes, i cili përfundoi me një të vrarë në Vërbicë të Zhegocit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria e Gjilanit thotë se lidhur me rastin e kanosjes që kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve dhe tanimë viktimës Policia e kishte njoftuar prokuroren kujdestare.

Prokuroria thekson se lidhur me rastin ka informacione se të njëjtit akterë më 17.08.2018 kishin mosmarrëveshje në mes vete, ashtu që i dyshuari – tani viktima e rastit A.N., fillimisht përmes telefonit e kishte kanosur të dëmtuarin – tani të dyshuarin B.N., me fjalët se: ‘’Do t’i thyej brinjët…’’.

“Rasti ka qenë në duar të Policisë, e cila edhe ka shkuar tek akterët në fjalë, me ç’rast është vërtetuar kanosja e përshkruar si më lartë, e drejtuar ndaj të dëmtuarit – tani të dyshuarit B.N. (prind, i tani të dyshuarit – të miturit A.N.), mirëpo i dyshuari – tani  viktima e rastit, i cili përmes telefonit kishte dërguar fjalët me përmbajtje të kanosjes, nuk është gjetur në shtëpinë e tij”, thuhet më tej në përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit.

Sipas Prokurorisë, prokurorja kujdestare kishte kërkuar nga Policia që të vazhdonin hetimin.

“Arsyeja që rasti është dorëzuar për hetim në sektorin e hetimeve, pranë Policisë së Kosovës, është se ishte konstatuar se nuk kishte vend për kallëzim penal dhe as për çfarëdo arrestimi të të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Më tej, në përgjigje thuhet se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan ka kërkuar që për rastin në fjalë të dorëzohet raport nga Sektori i Hetimeve të Policisë së Kosovës dhe një raport nga prokurorja kujdestare, për të cilin opinioni do të informohet me kohë.

Një 24-vjeçar mbeti i vrarë me armë zjarri. Të dyshuarit janë dy kushërinj të tij.

Familjarë të 24 vjeçarit të vrarë dje në fshatin Verbicë të Zhegocit i kanë rrëfyer KALLXO.com se Policia e Kosovës ishte njoftuar dy ditë më herët për mospajtimet që viktima dhe i dyshuari për vrasje i kishin dy ditë më herët.

Vrasja e 24 vjeçarit: Policia nuk patëm urdhër për bastisje

Kallxo.com