Ilustrim

Vrasja e Ilir Zeqirit në Skenderaj, arrestohen dy të dyshuar

Një 19 vjeçar inicialet e të cilit janë, K. I. dhe një 32 vjeçar me inicialet H. F. janë arrestuar nga policia për vrasjen e cila ndodhi katër ditë më parë në Skenderaj.

“Skuadra për Hetimin e Krimeve të Rënda në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, pas një hetimi intensiv me datën 11 prill 2019, kanë identifikuar dhe kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ të ndodhur me datën 8 prill 2019, në Skenderaj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Përveç arrestimit hetuesit policorë në zonën e Skenderajt, kanë realizuar edhe dy bastisje në dy lokacione të ndryshme në shtëpitë e të dyshuarve, me ç’rast në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar dy kallashnikovë, 14 fishekë, është sekuestruar një veturë, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga të dyshuarit në kryerjen e vrasjes.

Me urdhër të prokurorit të rastit dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

KALLXO.com raportoi më 8 prill se një person është gjetur i djegur në makinën e tij në afërsi të këtij fshati.

Prokurori i rastit Njiazi Rexha ka sqaruar se pistat e para të dyshimeve janë për vrasje pasi sipas tij afër makinës janë gjetur disa gëzhoja të armës.

“Dyshimet e para janë se është djegur pasi është goditur nga plumbat”, ka thënë prokurori Rexha.

Prokurori Rexha sqaroi se trupi i viktimës ishte djegur në masë të madhe, dhe ishte dërguar për obduksion për të vërtetuar saktë identitetin e tij.

https://kallxo.com/prokuroria-ilir-zeqiri-ka-qene-deshmitar-ne-rastin-e-vrasjes-se-policit-ne-skenderaj/