Vënia e gurit të themelit të pikës kufitare Stançiq-Bellanoc – Foto: Faqcebook/BujarOsmani

Vihet gurthemeli i pikës së re kufitare me Maqedoninë

Në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës dhe Maqedonisë dhe të drejtuesve të misioneve të BE-së në të dy vendet sot është vënë guri i themelit të pikës së përbashkët kufitare në mes të dy vendeve.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, shefi i zyrës së BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, etj.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se pika e përbashkët kufitare mes Maqedonisë e Kosovës është dëshmi e triumfit të vizionit europian mbi histori.

“Gurthemeli i kësaj pike të përbashkët kufitare është një dëshmi e një fqinjësie të mirë mes Kosovës e Maqedonisë, dëshmi e marrëdhënieve tona të shkëlqyera si dy vende sovrane e të pavarura dhe është një dëshmi që të dy vendet po lëvizim me një shpejtësi të re të anëtarësimit në NATO dhe në BE”, tha ai.

Sipas tij, pas 15 viteve mund të mos jetë më relevante kur të dy vendet do të anëtarësohen në BE.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani tha se ky projekt ka një rëndësi të madhe për shqiptarët e dy anëve sepse shërben si urë për komunikim më të afërt dhe pa barriera mes tyre.

“Ky vendkalim ka për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve të këtyre komunave dhe komunave fqinje, gjë që është edhe parakusht për rritjen e shkëmbimit ekonomiko-tregtar mes këtyre zonave, potencial i fuqishëm për të bërë biznes e për të siguruar mirëqenie e prosperitet ekonomik“, tha ai.

Financimin e ndërtimit të objektit të përbashkët kufitar e bën Bashkimi Europian.

Ndër të tjera Osmani e informoi koordinatorin e Kosovës, se Maqedonia është e gatshme për mbledhjen e përbashkët dhe nga sot e tutje  e kanë një pikë më pak në rend të ditës.

https://kallxo.com/kosova-e-maqedonia-pajtohen-per-hapjen-e-pikes-kufitare-ne-stanciq/

Për hapjen e kësaj pike kufitare ishin dakorduar në gusht të vitit të kaluar Kosova dhe Maqedonia.