VIDEO: Vjedhje në çerdhe të Prishtinës

Institucionet edukuese parashkollore kanë qenë cak i hajnave gjatë ditëve të fundit.

Vetëm gjatë periudhës 1 deri më 9 prill janë raportuar pesë raste të vjedhjeve të rënda dhe tentim vjedhje e rëndë.

Policia ka hapur raste për tri vjedhje të kryera ndërsa dy raste të tjera janë hapur për tentim vjedhje të rëndë.

KALLXO.com ka siguruar pamje të vjedhjes e cila ka ndodhur në çerdhen “Bota e Çudirave” në Prishtinë.

Në pamjet të cilat ka siguruar KALLXO.com shihen tre persona derisa kryejnë vjedhjen.

Në lidhje me vjedhjen e çerdhes KALLXO.com ka kontaktuar edhe zëdhënësen e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

Ajo ka thënë se për 9 ditë në Prishtinë janë iniciuar pesë raste për vjedhje të rënda dhe vjedhje të rënda në tentativë.

“Kryesisht janë dëmtuar dyert dhe dritaret e institucioneve në fjalë nga ku dyshohet se janë vjedhur pajisje teknologjike, aparate, TV, lodra dhe para”, shtoi ajo.

Pronari i çerdhes “Bota e Çudirave, Taulant Tahirsylaj, tha për KALLXO.com se vjedhja është vërejtur në momentin kur edukatoret kanë shkuar në punë në mëngjesin e ditës vijuese.

“E kuptuam në momentin e paraqitjes së stafit në punë (diku para orës 7:00 në mëngjes). Me të hyre brenda në kopsht, njëra nga mësueset sheh gjendjen e tmerrshme të kopshtit, të gjitha gjërat që ishin nëpër dollape ishin të shpërndara nëpër tokë. Na lajmëro neve dhe menjëherë lajmëruam policinë dhe shkuam drejt në kopsht”, tha Tahirsylaj.

Ai tha se nga kjo vjedhje, çerdhes në pronësi private i janë shkaktuar shumë dëme.

“Dëmi për neve është shumë i madh si material (dëm i detajuar në raportin e policisë) ashtu edhe shqetësues sepse është e tmerrshme të thyhen me aq siguri dhe disponim vendet ku shërbime marrin fëmijët nga 6 muaj deri në 6 vjeç. Edhe këto duhet të konsiderohen vende të shenjta sepse japin shërbim për më të shenjtin e çdo familjeje – te vegjëlit e tyre)”, tha Taulant Tahirsylaj për KALLXO.com.