(Video) Mushkolaj: Këta njerëz na vodhën të tashmen e po na e vjedhin edhe të ardhmen

Në protestën ku po kërkohet dorëheqja e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, pas pretendimeve se ka ndërhyrë në hetimet e prokurorit special Elez Blakaj rreth listës së fryrë të veteranëve, Imer Mushkolaj tha se para dy vjetësh u mblodhëm në këtë shesh për aferën “Pronto” dhe kërkuam përgjegjësi penale e politike ndaj të gjithë atyre të përfshirë në të.

“Kërkuam qe këtë ta bëjë kryeprokurori Lumezi dhe vartësit e tij. Aktakuza u ngrit por nuk shohim rezultate”, tha ai.

“Edhe atëherë edhe tash në postin e të parit të Prokurorisë është Lumezi. Ky njeri shqetësohet më shumë se i është prishur rehatia një ministri të akuzuar sesa ta ndëshkojë atë për veprat e tij”, shtoi Mushkolaj në protestën e qytetarëve që po vazhdon para ndërtesës së Qeverisë.

“Ne si qytetarë çdo ditë dëgjojmë fjalinë e famshme: Nëse keni fakte dërgoni në prokurori! Po në cilën prokurori?

Ky njeri, nuk mund ta mbajë në këmbë prokurorinë sipas tekeve të politikës. Lumezi duhet të shkojë në shtëpi. Atëherë ai mund të ketë më shumë kohë te lirë me dreka e darka me të akuzuar”, shtoi analisti Imer Mushkolaj.

Për Aleksandër Lumezin Mushkolaj tha se e pengoi prokurorin që ta kryente punën si duhet edhe në rastin “Pronto” edhe të veteranëve mashtrues.

“Prokurori i dorëhequr Blakaj nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme. Ai vetëm ka kryer punën e vet si duhet  të veprojë edhe Lumezi me shokë, por ai u kërcënua nga vetë Lumezi”, tha para një numri të madh qytetarësh protestues Imer Mushkolaj.

Ai tha se prokurori Blakaj u kërcënua e u etiketua jo vetëm nga Lumezi por edhe kryeministri e kryetari.

“Elez Blakaj u quajt hajn vetëm pse pati guxim të hetojë hajnat”, shtoi ai.

Sipas Mushkolajt, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, foli me të njëjtën gjuhë si kryeministri e kryeparlamentari “sepse i takon sojit të tyre”.

Mushkolaj tha se propozimi i sotëm i dhënë nga bashkëpartiaku i kryeministrit Ramush Haradinaj ishte propozim ‘haraçi”.

Ai theksoi se këta udhëheqës shtetërorë që po bërtasin ‘kapeni hajnin, janë hajna vetë’.

“Sot e dëgjuam një zyrtar të partisë së kryeministrit – ishte propozim gjenial. Ai tha se gjithë atyre që nuk kanë marrë pjesë në luftë t’ia vendosim nga një taksë që ata ta paguajnë. D.m.th. ai propozoi dhënien e një takse haraçi, diçka që e kemi dëgjuar shumë vjet përpara madje haraçin kryeministrit dhe partisë së kryeministrit ia ka përmendur shefi i partisë me të cilën është në koalicion ‘shefi i shefave’, Adem Grabovci. Këta njerëz bërtasin kapeni hajnin ndërsa hajna janë vetë. Këta njerëz na e kanë vjedhur të tashmen e po na e vjedhin edhe të ardhmen, andaj duhet t’i ndalim”, tha Mushkolaj.

Ai theksoi se kryeministri Haradinaj po e fajëson prokurorin Elez Blakaj për ngecjet të cilave vetë po i kontribuon.

“Kryeministri nuk ngurroi ta fajësojë prokurorin Blakaj. Tha se rasti i tij do të ndikojë në liberalizimin e vizave por a ka shërbim më të keq që i bëhet të ardhmes sonë se sa ndërhyrja direkte e kryeministrit dhe kryeparlamentarit në sistemin e drejtësisë. Këta njerëz kërcënojnë e frikësojnë sepse duan ta heqin vëmendjen nga skandalet e 53 milionë eurove, nga skandalet e kapjeve të ndërmarrjeve publike”, shtoi Mushkolaj ndërkohë që protestuesit brohorisnin: “Me hajna nuk ka shtet!, “Hajnat në burg!”, “Poshtë Qeveria!”, “Ramush haraçi”, etj.

Imer Mushkolaj tha se protestat nuk do të ndalen ndërkohë që e shpalli të mbyllur protestën e sotme.