Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu - Foto: KALLXO.com

Video: Gërxhaliu jep detaje lidhur me vdekjen e zëvendësministrit

Trupi i pajetë i Arian Dacit, që vdiq sot nga orteku i borës ka mbërritur para pak minutash në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu tha për KALLXO.com, se zëvendësministrit Daci do t’i bëhet autopsia nesër.

“Nëse në mëngjes do të kryhet autopsia dhe pastaj trupi do t’i dorëzohet familjarëve, pastaj protokolli shtetëror, pra Qeveria do ta merr nën mbikëqyrje, ky është informacioni i fundit”, ka thënë Gërxhaliu për KALLXO.com.

Ai ka treguar se si është bartur trupi i Arian Dacit nga vendi ku ka ndodhur ngjarje e deri tek parkingu në Brezovicë.

“Pas thirrjes së policisë për të marrë trupin vetura jonë ka mbërritur për 55 minuta në parkingun e Brezovicës, pastaj deri aty trupin e kemi bartur me  motor të borës, dhe tani e kemi sjellë në Mjekësinë Ligjore”, ka treguar Gërxhaliu.

Arian Daci që është edhe djali i Nexhat Dacit ( Kryetar i Akademisë së Shkencave), vdiq sot nga një ortek bore në Brezovicë sipas të dhënave zyrtare, ndërsa Ardian Bakalli u lëndua.

Qendra e Skijimit në Brezovicë do të mbyllet për dy ditë për shkak të rrezikut nga orteqet.

Ilir Morina, Kryeshef i Agjencisë së Mbrotjes së Mjedisit i ka thënë mediave që qendra do të bllokohet për dy ditët e ardhshme.

“Bashkë me prokurorinë kemi marrë një vendim për mbyllje të qendrës së skijimit në Brezovicë për dy ditë për shkak të vazhdimit të hetimeve dhe masave që kanë munguar e duhet të merren në të ardhmen”, tha Morina.

Kjo erdhi edhe pas vdekjes tragjike të Arian Dacit, zëvendësministrit të Diasporës në një ortek bore sot në Brezovicë.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se nesër do të bëhen edhe homazhe dhe mbledhje komemorative për zëvendësministrit, Adrian Daci.

“Kryeministri Ramush Haradinaj bën homazhe dhe merr pjesë në mbledhjen komemorative, pas ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të zëvendësministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci”, thuhet në njoftim.

Agjenda e plotë: 10:35 – Homazhe pranë arkivolit në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës 12:00 – Mbledhja komemorative nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit në Teatrin Kombëtar të Kosovës 13:00 – Ceremonia e varrimit në varrezat e qytetit të Prishtinës – Lagjja Arbëria