Numri i vdekjeve të dyshimta gjatë këtij viti dhe shkaktarët e tyre

Në raportet e policisë së Kosovë thuajse çdo ditë raportohen raste të vdekjeve të cilat policia i trajton si ‘vdekje të dyshimta’. Vdekje të dyshimta cilësohen rastet kur nuk dihen shkaktarët apo rrethanat e sakta që kanë sjellë deri tek vdekja e një personi.

Rastet e kësaj natyre, policia e Kosovës i referon në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për kryerje të autopsisë.

Sipas të dhënave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2022 në Kosovë u raportuan 220 raste të ‘vdekjeve të dyshimta’, prej tyre 69 kanë qenë në rajonin e Prishtinës.

“Numri i trupave të pranuar gjatë këtij viti në IML për periudhën janar – qershor 2022 në tërësi janë 210, ndërsa për Prishtinë janë 69 raste”, tregojnë të dhënat.

Në detajet tjera të këtij instituti të dhëna për KALLXO.com thuhet se gjatë këtij viti më së shumti vdekje të dyshimta u raportuan në muajin maj, gjithsej 38 raste.

“Gjatë këtij viti vdekjet e dyshimta u raportuan si në vijim: janar – 30 raste, shkurt – 34 raste, mars – 26 raste, prill – 36 raste, maj – 38 raste, qershor – 30 raste”, thuhet më tej nga IML.

Në një krahasim të  dhënash me periudhën e njëjtë të vitit 2021, vërehet një rritje e lehtë e rasteve që policia i trajton si ‘vdekje të dyshimta’.

Në vitin 2021, për periudhën janar – qershor ishin raportuar 187 raste të tilla, prej tyre 57 nga rajoni i Prishtinës.

“Periudha janar – qershor 2021 janë pranuar 187 raste ne IML nga të cilat 57 raste nga rajoni i Prishtinës ndërsa, periudha janar – qershor 2022 janë pranuar 210 raste në IML nga të cilat 69 raste janë nga rajoni i Prishtinës”, thekson më tej IML.

Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore,  shkaktarët e vdekjeve për rastet e periudhës 6-mujore të vitit 2022 janë: aksidentet, vdekjet natyrale, vetëvrasjet dhe vrasjet. Në mesin e këtyre shkaktarëve, prijnë vdekjet në aksidente.