Visar Ymeri, ish-kryetar i Vetëvendosjes

‘Vetëvendosje’ Vendos të Kthehet në Kuvend

“Vetëvendosja” ka vendosur të kthehet për t’i kundërshtuar edhe më fuqishëm themelimin e asociacionit dhe ratifikimin e marrëveshjes aktuale për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Kështu u tha kthimin në Kuvend LVV-ja e njoftoi gjatë një konference për gazetarë.

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri tha se çfarëdo tentimi për t’i ngjallur dy projektet e dëmshme për vendin do ta rikthejnë edhe më fuqishëm kundërshtimin e VV-së.

“Çfarëdo tentimi i regjimit për t’i ringjallur dy projekte të dëmshme për vendin, themelimin e ‘zajednicës’ dhe ratifikimin e marrëveshjes aktuale për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, do ta rikthejnë edhe më fuqishëm kundërshtimin tonë dhe do ta jofunksionalizojnë edhe më thellë jetën institucionale të vendit,” tha Ymeri.

Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, tha se nga qeveria po vijnë zëra për procedim sa më të shpejtë të demarkacionit aktual në Kuvend.

Sipas tij, qëndrimi i VV-së jashtë Kuvendit në këtë rast është i padobishëm. Ndërkaq, tha se nuk do të hezitojnë të bashkëpunojnë edhe me subjektet e tjera opozitare.

“Opozita do ta vazhdojë kundërshtimin e projekteve të dëmshme që po i sjellë qeveria. Ne po kthehemi për ta ngritur zërin tonë brenda Kuvendit, edhe më fuqishëm dhe nuk do të hezitojmë të bashkëpunojmë edhe me subjektet tjera opozitare për t’i bashkërenduar veprimet dhe hapat e mëtejmë,” u shpreh Konjufca.

Sipas VV-së, bojkotimi i seancave ia ka lënë duart e lira regjimit që të nxjerrë vendime i papenguar, si dhe me kundërshtime minimale e kozmetike. Prandaj, bërja e opozitës në Kuvend, sipas VV-së, është pengesë për vendimet e dëmshme të cilat i nxjerrë ky regjim.