Nga aplikimi për statusin e viktimave të përdhunimit i filluar në mars | Foto: KALLXO.com

Verifikimi i Vonuar i Viktimave të Përdhunimit

Autoritetet e Kosovës kanë premtuar të ngrenë së shpejti një komision për të verifikuar pretendimet e viktimave të përdhunimeve nga 1998-1999, por aktivistët e të drejtave të njeriut i akuzuan ata se po veprojnë shumë ngadalë.

Sokol Havolli, një këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, tha për BIRN se edhe pse procesi ishte vonuar, lajmërimet për punë për anëtarët e komisionit të ri të verifikimit duhet të bëhen publike “shumë shpejt”.

“Atëherë me të zgjedhim anëtarët e komisionit që ai të mund të fillojë procesin e verifikimit të viktimave të përdhunimit të kohës së luftës,” tha Havolli.

“Mund të ketë pasur disa vonesa procedurale, por kjo është për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjes,” shtoi ai.

Krijimi i komisionit u lajmërua në qershor 2015, por deri më tani, është ngritur vetëm sekretariati.

Igballe Rogova, drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, tha se ishte “një turp që qeveria e ka zvarritur kaq gjatë këtë çështje”.

“Është bërë një punë e madhe që më në fund të fillojë një proces dhe t’u ofrohen të drejta viktimave të përdhunimeve të kohës së luftës në Kosovës, por qeveria nuk ka qenë e interesuar për çuarjen para të kësaj çështjeje,” tha Rogova.

Ende nuk ka një vlerësim të saktë të numrit të grave dhe vajzave që janë përdhunuar apo kanë pësuar forma të tjera të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në vitin 2014, Parlamenti i Kosovës miratoi ndryshimet në një ligj ekzistues për të drejtat e viktimave dhe veteranëve të luftës duke përfshirë në legjislacion viktimat e përdhunimit. Viktimat e përdhunimeve që janë verifikuar do të kenë të drejtë për përfitime financiare.

Njohja e statusit të viktimave të përdhunimeve të kohës së luftës u mbështet nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Kohës së Luftës, i cili u krijua nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaha.

Këshilli u bë joaktiv pasi mandati i Jahjagës përfundoi në fillim të këtij viti dhe nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me të.

Por Rogova tha se ajo ka shpresa të mëdha për procesin e verifikimit.

“Ky proces do të përgatitet me më shumë kujdes dhe nuk do të jetë si verifikimi i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili është shndërruar në një katrahurë,” tha ajo.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos i bëjmë presion viktimave të përdhunimeve të kohës së luftës që të bëjnë një hap para. Kjo është zgjedhja e tyre, por ne mund t’i inkurajojmë ata që të përdorin të drejtat e tyre,” shtoi ajo.

Procesi i verifikimit mund të fillojë vetëm pasi të emërohen të gjithë anëtarët e komisionit.

Do të përzgjidhet gjithashtu një OJQ për të ndërmjetësuar dhe monitoruar procesin, duke i mundësuar viktimave të aplikojnë për verifikim nëpërmjet sekretariatit, OJQ-së apo online.