Beqë Hadergjonaj dhe Safete Hadergjonaj

Vëllai u deputetes së PDK-së emërohet anëtar Bordi në Kompaninë e Ujitjes

Më 18 qershor, kryeministri i Kosovës në një mbledhje të rregullt të Qeverisë, kompletoi emëroi anëtarët në disa prej ndërmarrjeve publike në vend.

Disa prej kryesuesve të Bordeve dhe anëtareve, dolën të jenë njerëz nga partitë politike që udhëheqin me vendin.

Ndër kompanitë publike ishte edhe ajo e ujitjes “Drini i Bardh” në Pejë.

Përveç kryesuesit të Bordit, atje u emëruan edhe pesë anëtarë të rinj.

KALLXO.com raportoi se kryesuesi i Kompanisë Rajonale të Ujitjes “Drini i Bardhë” në Pejë, Galdim Krasniqi, u emërua jashtëligjshëm në atë pozitë pasi i njëjti ishte asamblist i partisë së Ramsuh Haradinajt.

Anëtar i ri i Bordit të Kompanisë Rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë” u emërua edhe Beqë Hadergjonaj, vëllai i deputetes së PDK-së, Safete Hadergjonaj.

Në një bisedë për KALLXO.com, vetë Hadergjonaj e ka mohuar se është pjesë e PDK-së, por ka thënë se merr pjesë nganjëherë nëpër tubimet elektorale të kësaj partie.

“Naj tubim rrallë, kur ka qit puna nëpër fushatë, se nuk kam qenë asnjëherë pjesë e ndonjë partie politike”, tha Hadergjonaj.

Ndërsa, ka thënë se nuk e di nëse motra e tij, deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj, ka pasur ndikim që ai të emërohet anëtar në Bordin e Kompanisë për ujitje “Drini i Bardhë”.

“Unë nuk e di a ka ndikuar ajo [Safete Hadergjonaj], unë kam konkuru si të gjithë të tjerët, jam kanë në intervistë, jam poentu, tash a ka ndiku motra a nuk ka ndiku, unë nuk e di”, deklaroi ai.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai vazhdimisht shihet të ketë shpërndarë aktivitetet e Partisë Demokratike të Kosovës.

 

Në anën tjetër, deputetja Hadergjinaj ka thënë se ajo nuk ka pasur asnjë ndikim që vëllai i saj të emërohet në pozitën e re.

“Unë nuk besoj që konsiderohet konflikt interesi emërimi i vëllait tim në bordin e ujitjes sepse nuk është në asnjë strukturë të partisë, ai e ka jetën e vet ne të tjerët e kemi jetën tonë”, ka thënë shkurt Hadergjonaj për KALLXO.com.

Beqë Hadergjonaj ka qenë për tri vite si kryesues në Bordin e Ndërmarrjes Publike të Ujitjes “Drini i Bardhë”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për emërimet politike në Bordet e Ndërmarrjeve Publike.

Neni i 17 i Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një anëtar i Bordit si dhe kushtet të cilat e eliminojnë nga gara.

“Të gjithë anëtarët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i ermëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një nga proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, e së fundmi, edhe nga faktori ndërkombëtar.

https://kallxo.com/politizimi-i-bordeve-qe-alarmoi-diplomatet-e-huaj-ne-kosove/

www.kallxo.com