Ish-drejtori i AKK-së, Hasan Preteni

Preteni: Bordet politike të Kurtit janë ligjore, por nuk janë etike

Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit(AKK), Hasan Preteni thotë se emërimet e drejtorëve të përkohshëm në bordet e tri ndërmarrjeve publike nga Qeveria Kurti, nuk përbëjnë ndonjë shkelje ligjore, por që nuk janë etike.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Preteni ka thënë Ligji për Ndërmarrje Publike e rregullon këtë.

“Këta nuk janë as të emëruar e as të zgjedhur, nuk kanë qenë 36 muajt e kaluar në ndonjë pozitë udhëheqëse, e ky rast ka të bëjë me diçka që nuk është fortë e hijshme ose etike, sepse kanë qenë në listën kandiduese, mirëpo në aspektin ligjor nuk e kanë asnjë pengesë”, ka thënë Preteni përmes telefonit.

Sipas tij, nuk kanë qenë në pozita udhëheqëse si kryetar, sekretar apo nënkryetar të partive.

“Unë e shoh këtë rast që nuk është shumë etike, sepse kanë qenë në listë për kandidatë dhe nuk është dashtë me u kanë, mirëpo në kuptimin ligjor nuk kanë asnjë shkelje”, ka deklaruar Preteni.

Por, Opinioni i lëshuar nga Agjencia Antikorrupsion dhe i nënshkruar nga Hasan Preteni ne vitin 2016, thotë se edhe kandidatët për poste të zgjedhura konsiderohet të “emëruar politikë”.

Opinoni i AKK-së thotë se drejtorët e Bordit të Ndërmarrjes publike duhet të jenë të pavarur.

Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për tu zgjedhur si drejtor në një ndërmarrje publike, nëse: ‘është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike’.

Tutje është dhënë sqarime se kush konsiderohet i emëruar politikë.

“’I emëruar politik’ – nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur”, thuhet në opinionin e AKK-së, interpretim ky që është marrë nga Ligji për Ndërmarrjet Publike, plotësim/ndryshimi i bërë në vitin 2012.

Ndërsa në interpretimin që e ka lëshuar ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari është thënë se për bordet të përkohëshme nuk kërkohet që kandidatët të jenë të pavarurë.

KALLXO.com ka raportuar se Mentor Hyseni i zgjedhur në bordin e përkohshëm të Ujësjellësit, është anëtar i Vetëvendosjes dhe ish-kandidat për deputet në këtë parti.

Po ashtu, është gjetur se anëtari tjetër i këtij bordi, është ish-kandidat për deputet i partisë së ministres Emilija Rexhepit.

Ndërsa, Rozeta Hajdari, e ka konfirmuar se anëtari Artan Dërmaku i emëruar në bordin e përkohshëm të Infrakos është pjesë e partisë Lëvizja Vetëvendosje.

Kurse, KALLXO.com po ashtu ka gjetur se në mesin e të emëruarve është edhe Abdullah Lala, si anëtar i bordit në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës- Infrakos”. Lala është anëtar i partisë e cila udhëhiqet me ekzekutivin kosovar.