Haradinaj komenton emërimin e paligjshëm në krye të Bordit ish- asamblistin e AAK-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur rreth emërimit në krye të Bordit të Kompanisë për Ujitje në Pejë “Drini i Bardhë”, Galdim Krasniqi.

Ai ka thënë se njehë Krasniqin por nuk  di se për çfarë motive është zgjedhë në krye të boritit të kompanisë për ujitje.

“Unë e njohë Galdimin, personalisht, mendoj që është një kuadër i mirë. Nuk e di se për çfarë motivi është zgjedhë aty për çka është zgjedhë”, tha Haradinaj pas interesimit të KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme se Galdim Krasniqi është zgjedhë në krye të Bordit të “Drini i Bardhë” kundërligjshëm.

Ai u emërua në bord të martën gjatë mbledhjes së Qeverisë bashkë me shtatë Borde të ndërmarrjeve publike.

“Nuk e di a ka naj bazë ligjore, por përkatësia e më hershme apo e më vonshme, mundet edhe ajo me qenë pikëpyetje. Të gjithë ata që po zgjedhën po kanë ndonjë përkatësi të më hershme, por nuk e di. Nëse ka ndonjë shkeljeje të caktune në ndonjë vendim të Qeverisë, cilat do cofshin, mos hezitoni”, tha tutje kryeministri Haradinaj teksa komentoi emërimin e Galdim Krasniqit në krye të Bordit te “Drini i Bardhë”.

Ai ka thënë se mirëpret raportimet e mediave dhe pret që të ballafaqohet si kryeministër, në rast të ndonjë parregullsie.

KALLXO.com ka zbuluar se Galdim Krasniqi ka qenë asamblist i partisë së Ramush Haradinajt në Kuvendin Komunal të Pejës në mandatin e kaluar, përgjatë vetive 2013-2017.

Këtë, e ka konfirmuar edhe vetë Krasniqi në një prononcim të shkurtë për KALLXO.com.

“Tash nuk jam anëtar i AAK-së në Pejë, për momentin jo, më herët po. Në zgjedhjet e fundit nuk kam qenë asamblist, por para këtij mandati po. E kam lanë me u shkëput pak prej politikës”, ka thënë shkurt Krasniqi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe ish-kryetarin e Pejës nga radhët e AAK-së dhe kryetarin e degës të kësaj partie, Ali Berisha për të pyetur nëse aktualisht Galdim Krasniqi ka ndonjë funksion në parti.

“Bukur shumë kohë Galdimi nuk ka ndonjë funksion në parti, nuk ka marrë pjesë as në zgjedhjet lokale as qendrore, këto të fundit. Ka qenë asamblist i AAK-së në 2013 deri sa ka përfunduar mandati. Ka qenë anëtar i strukturave të partisë”, ka thënë Berisha.

Galdim Krasniqi po ashtu ka edhe fotografi të publikuara me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Neni 15, pika 4 e Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon se kandidatët për bord duhet të jenë ekspertë, ose së paku adekuatë për pozitën e kërkuar. Kurse Neni 17 i Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një anëtar i bordit si dhe kushtet të cilat e eliminojnë nga gara.

“Të gjithë drejtorët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Sipas këtij neni, ky anëtar i bordit nuk do duhej të kishte qenë i zyrtar i zgjedhur publik deri në 36 muaj para aplikimit, mirëpo ai e ka mbajtur mandatin deri në fund të vitit 2017, që i bie më së shumti deri para 19 muajve.

Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një ndër proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, e së fundmi, edhe nga faktori ndërkombëtar.

 

https://kallxo.com/haradinaj-emeron-kunderligjshem-kryesues-te-bordit-ish-asamblistin-e-aak-se/?fbclid=IwAR0JYY-Y_2Or0wneBbyxkSvd5TVIaoXYFXfKgEg8LixdsQT5Y6a_9LHrI0M

www.kallxo.com