Varroset Ilmi Lufaj

Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Ilmi Lufajt, 35-vjeçi i vrarë në orët e para të ditës së hënë nga zyrtari policor Shefqet Kamberaj në rrethana ende të pasqaruara në Deçan.

Ceremonia e varrimit e ish-ushtarit dhe veteranit të UÇK-së është bërë në Strellc të Ulët nën përkujdesjen e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në nderim të veprës dhe jetës së Lufajt, me organizim të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, në Kuvendin Komunal të Deçanit sot është mbajtur një mbledhje përkujtimore.

Në këtë mbledhje komemorative një prej komandantëve të UÇK-së të Zonës së Dukagjinit, Daut Haradinaj, vlerësoi lartë kontributin e Ilmi Lufajt në luftën për çlirim.

Ilmi Lufaj është vrarë të hënën rreth orës 2:00 afër Stacionit Policor në Deçan nga zyrtari policor Shefqet Kamberaj.

Sipas një njoftimi të Policisë, zyrtari Kamberaj ka shtënë me armë në drejtim të tashmë të ndjerit Lufaj në vetëmbrojtje.