Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong-Un - Foto: REL/Reuters

Trump: Pulla Atomike Amerikane më e Madhe se Ajo Verikoreane

Presidenti amerikan, Donald Trump, dje i është përgjigjur liderit të Koresë Veriore, Kim Jong Un, i cili është lavdëruar se e ka “pullën atomike” në tavolinën e tij, duke ia tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara e kanë këmbëzën atomike “më të madhe dhe shumë më të fortë”.

“Lideri verikorean, Kim Jong Un, posa tha se pulla atomike është në tavolinën e tij gjatë gjithë kohës”, ka shkruar Trump në rrjetin Twitter, dhe ka shtuar se “Ju lutem a mundet dikush prej regjimit të tij të shterur dhe pa ushqim, ta informoni atë se unë, po ashtu, e kam pullën atomike, që është shumë më e madhe dhe më e fuqishme se ajo në dorën e tij dhe se pulla ime funksionon”.

Gjatë fjalimit të tij vjetor me rastin e Vitit të Ri, Kim Jong Un ka tërhequr vërejtjen për atë që ai e ka quajtur “buton bërthamor” në tavolinën e tij dhe armatim, për të cilin ai pretendoi se mund të arrijë çdokund në Shtetet e Bashkuara, por tha se ai do ta përdorte atë vetëm nëse siguria e Phenianit është e kërcënuar.

“Ky është realitet, e jo kërcënim”, tha Kim. (REL)