Tri parti në garë për zgjedhjet në veri

Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista serbe janë tri subjektet që kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 19 majit në veri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Më 19 maj do të zgjidhen kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Të gjitha aplikimet do të shqyrtohen nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, që do të paraqesë në KQZ rekomandimet përkatëse për secilin prej tyre.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka ndarë mbi 470 mijë euro për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e komunave në veri.

Në mbledhjen e Qeverisë është shqyrtuar edhe kërkesa e planit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa për ndarjen e mjeteve financiare për punën shtesë të stafit lidhur me organizimin e zgjedhjeve.

Katër kryetarët e komunave veriore kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si përgjigje ndaj taksës prej 100% për Serbinë.