Ekaterina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës

Trendafilova: E Privilegjuar për Bashkëpunimin me Schwendiman

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova ka reaguar me një deklaratë pas njoftimit se David Schwendiman, i cili është emëruar Prokuror i Specializuar më 1 shtator 2016, ka përfunduar mandatin.

Si kryetare e Dhomave të Specializuara ajo është shprehur e privilegjuar për bashkëpunimin me Schwendiman për çështje me interes të ndërsjellë midis institucioneve të tyre.

“Që prej emërimit ai ka punuar në mënyrë këmbëngulëse për jetësimin e mandatit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për të mundësuar hetime dhe procedime penale të drejta, të paanshme, efikase dhe të pavarura të pretendimeve për krime brenda juridiksionit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke i kushtuar kujdes të posaçëm mbrojtjes së dëshmitarëve të mundshëm”, ka theksuar Trendafilova në njoftimin për media.

Sa i përket aspektit personal Trendafilova është shprehur se i ka lënë mbresë profesionalizmi, përkushtimi dhe intelekti i David Schwendiman.

“Të dy institucionet, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, do të vijojnë pa ndërprerje punën për përmbushjen e mandatit të tyre. I jam thellësisht mirënjohëse prokurorit të specializuar për punën e tij me përkushtim dhe i dëshiroj çdo të mirë në veprimtarinë e tij në të ardhmen”, ka përfunduar Ekaterina Trendafilova deklaratën e saj.

Më herët është raportuar për përfundimin e mandatit të prokurorit special, David Schwendiman.