Njëra nga qendrat tregtare | Foto: BIRN

Tre Muajt e Parë ‘Kërcënues’ për Xhepat e Konsumatorëve

Marsi i sivjetmë u tregua më i ashpër sa u përket çmimeve krahasuar me marsin e vitit të kaluar (1.5 për qind) dhe më i butë se një muaj më parë (-0.1 për qind).

Tremujori i parë (janar-mars) i  këtij viti paralajmëroi trend rritës të çmimeve,  duke shënuar vlera më të larta që nga 2014-ta në këto periudha.

Sipas publikimit “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit-Mars 2017” të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), muaji mars doli të jetë më i shtrenjtë se marsi i viti të kaluar për 1.5 për qind por, për -0.1 për qind më i lirë se shkurti i 2017-ës.

Produktet e qumështit dhe vezët ndikuan në rënien e çmimeve në krahasim me një muaj më parë.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej -0.1 për qind në muajin mars 2017 krahasuar me muajin shkurt 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupi i qumështit, djathit dhe vezëve për (-3,1%) me një ndikim prej -0.2 për qind në IHÇK”, thuhet në publikim.

Por çmimet u rritën për 4.8 për qind te nëngrupet e pemëve të cilët neutralizuan rënien e disa tjerave.

Çmimet e tërësishme të konsumit në muajin mars u rritën për 1.5 për qind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Pajisjet për transportin personal dhe sheqeri e ëmbëlsirat ndikuan më shumë në këtë rritje.

“Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te mishi (1,0%), qumështi, djathi dhe vezët (4,3%), sheqeri dhe ëmbëlsirat (8,3%), kafja, çaji dhe kakaoja (6,2%), duhani (5,4%), rryma, gazi dhe lëndët djegëse të tjera (4,1%)-(ngritje e çmimit të druve për ngrohje), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (11,3%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,8 për qind në IHÇK”, sqaron publikimi i ASK-së.

Rënia e çmimeve të perimeve për 3.2 për qind, pajisjeve audiovizuele, fotografike për -4.2 pastaj rënia e çmimeve të automjeteve për -1.1 për qind kontribuuan në neutralizimin e rritjes së çmimeve të tjera.

Në tre muajt e parë të këtij viti (janar-mars) çmimet u rritën prej 1.5 deri 1.7 për qind në raport me tre muajt e njëjtë të vitit të kaluar.

Në periudhën janar-mars të vitit 2016 çmimet u rritën për 0 deri 0.2 për qind në raport me të njëjtën periudhë të 2015-ës.

Në muajt janar, shkurt e mars të vitit 2015 çmimet ishin më të ulëta prej -0.4 deri -0.6 në krahasim me të njëjtën periudhë të 2014-ës, ndërsa janari, shkurti e marsi i 2014-ës ishin më të shtrenjtë se tre muajt e parë të vitit 2013 për 0.1 deri 0.3 për qind.

Edhe në muajin shkurt çmimet “rritën shtatin”.

http://kallxo.com/cmime-te-larta-ne-shkurt/

Kosova vitin 2016 e përmbylli me çmime më të larta se një vitë më parë

http://kallxo.com/cmime-te-larta-ne-2016-en/