Banka Qendrore e Kosovës
Thellim Dallimi i Interesit për Kredi dhe Depozita
Në të vërtetë, dallimi në mes normës së interesit të këtyre dy elementeve gjithmonë ka vazhduar të jetë rreth 10 për qind, mirëpo, gjatë vitit 2014 ky dallim u ngrit nga 8.4 për qind në 9.5 për qind në raport me 2013-ën, apo një ngritje totale prej 13.2 për qind.
Ky zgjerim i dallimit u krijua në vitin 2014 kur normat e interesit për depozita të reja ranë në 1.1 nga 3.4 për qind sa ishin në vitin 2013. Interesi për depozita në 2014-ën pësoi një rënie për 2.3 pikë, ose 67.5 për qind.
Trendët e normave të interesit për llojet e kredive, ishin relativisht të njëjtë me vitin paraprak. Norma e interesit për kredi bujqësore vazhdon të jetë 13.2 për qind, ndjekur nga kredia konsumuese me 10.9 për qind, kredia shërbyese me 10.7 për qind dhe norma e interesit për kredi të reja është 10.6 për qind.
Tri ndryshimet më të dukshme të normave të interesit vjetor gjatë vitit 2014 u shënuan te kreditë hipotekare me kohëzgjatje mbi 10 vjet, me një ngritje për 11.4 për qind, normat e interesit të kredive hipotekare deri në një vit u zbritën për 31.2 për qind, këto norma patën rënie prej 24.1 për qind në kredi bujqësore krahasuar me 2013-ën.
Në anën tjetër, norma e interesit më pak e luhatshme ka qenë ajo për kreditë konsumuese, e cila gjatë vitit 2014 krahasuar me vitin 2013 pësoi një rënie prej 6.3 për qind.
Norma e interesit në depozita të reja gjatë vitit 2014 krahasuar me vitin paraprak shënoi një rënie nga 3.42 për qind në 1.11 për qind. Në të njëjtën kohë, normat e interesit në depozita me afat deri në një muaj shënuan zbritje nga 2.23 për qind në 1.44 për qind, po ashtu dhe norma e interesit në depozitat mbi dy vjet pësoi rënie nga 5.16 për qind në 3.27 për qind.
Ndryshimet më të mëdha të normave të interesit në vitin 2014 krahasuar me 2013-ën ndodhën te depozitat e reja.
Më konkretisht, zbritja e normës së interesit në këtë lloj të depozitave gjatëvitit 2014 në krahasim me vitin paraprak ishte -68 për qind, ndjekur nga ajo e depozitave në afat prej një muaji me -35 për qind dhe depozitave mbi dy vjet me -1.89 për qind.