Thaçi: Kosova po punon pandërprerë që të anëtarësohet në NATO

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi  ka kujtuar rolin e Aleancës Veriatlantike në 70-të vjetorin e themelimit të saj.

Po ashtu, presidenti përmes publikimit në Facebook ka thënë se rrugëtimi i Kosovës për anëtarësim në NATO është i pandërprerë.

“Në përvjetorin e 70-të të themelimit të Aleancës Veriatlantike, me respektin dhe mirënjohjen më të thellë kujtojmë rolin e pazëvendësueshëm të saj për tërë botën. Si bashkësi e popujve dhe shteteve që punon pareshtur për forcimin e paqes, NATO-ja vazhdon të reflektojë më së shumti siguri, bashkëpunim e solidaritet për të gjithë. Jemi të lumtur që e kemi NATO-n në Kosovë, por dëshirë e jona është që edhe Kosova të jetë në NATO. Rrugëtimin euroatlantik duam ta vazhdojmë si vend anëtar i NATO-s dhe për këtë po punojmë pandërprerë. Në rresht me të gjitha vendet anëtare të NATO-s, tashmë edhe Republika e Kosovës është e gatshme që të kontribuojë më shumë për paqen dhe stabilitetin në rajon, Evropë dhe botë”, ka shkruar presidenti.