Tenton Vetëvrasjen për Shkak të Shantazhit

Një grua nga Prizreni tentoi të vetëvritet pasi që nuk mundi t’i përballojë shantazhet nga një burrë i dyshuar.

Policia njofton se viktima ka përdorur preparate kimike për pastrim në përpjekje për ta mbytur veten.

“Dje, rreth orës 03:30 minuta, policia në Prizren e ka pranuar një informacion nga Emergjenca e Spitalit Rajonal se një femër kishte konsumuar preparate kimike “Domestos”  dhe se e njëjta po trajtohej nga mjekët”, thuhet në komunikatën e policisë.

Motivi për tentim vetëvrasje ka qenë shantazhi që i ka bërë një burrë i cili është arrestuar nga policia.

“Hetuesit policorë e kanë takuar viktimën dhe gjatë bisedës është bërë e ditur se një i dyshuar me të cilin ishte njohur  më herët, tani e kishte rrahur me ç’ rast i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore (sipas raportit mjekësor) dhe i kishte bërë shantazh duke i kërkuar 200 euro në këmbim të mospublikimit të disa fotove komprometuese”, vijon shpjegimi në komunikatë.

Sipas komunikatës, i dyshuari e kishte kërcënuar gruan që tentoi vetëvrasjen se nëse nuk ia jepte paratë vëllai i saj do ta pësonte keq.

I dyshuari është intervistuar dhe i është caktuar ndalimi policor.

“I dyshuari, pas arrestimit është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Pas intervistës është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që shantazhisti të ndalet nën masën e arrestit, ndërsa një shok i tij i cili kishte pasur dijeni për rastin do të ndiqet penalisht për moskallëzim të veprës penale”, thuhet më tutje në komunikatë.

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste tjera të shantazhit.