Teknikët e Radiologjisë pretendojnë se drejtori po ua zvarrit rilicensimin

Disa teknikë të Klinikës së Radiologjisë në QKUK po ankohen se rilicensimi i tyre po zvaritet.

Këta teknikë kanë të mbaruar vetëm shkollimin e mesëm ndërsa dyshimet e tyre janë se rilicensimi nuk po u bëhet në mënyrë që ata të vazhdojnë shkollimin bachelor në Fakultetin e Radiologjisë në Kolegjin privat ‘AAB’ , aty ku drejtori i tyre Bujar Gjikolli është Dekan.

“Qysh hala pa e marr vendimin e drejtorit ka fillu me kërcenime ai qe s’punon ka me ec në shpi vijnë tjerët punojnë, për rilicensim ose duhet me regjistru ose nuk mund të punoni edhe pse Oda e Infermierëve të Kosovës e ka lëshuar vendimin se kush ka mbi pesë vjet përvojë pune duhet të rilicensohet por drejtori e ka bllokuar këtë proces për interesat e veta.” thotë njëri nga teknikët emri i të cilit është i njohur për redaksinë e KALLXO.com.

Ai pretendon se Gjikolli këtë e bënë me bashkëpunëtorët e tij që janë pjesë e institucioneve shëndetësore dhe Kolegjit në fjalë.

Megjithatë, Drejtori i Radiologjisë Bujar Gjikolli po i mohon të gjitha këto akuza.

“Realisht është e pavërtetë në anën tjetër ne nuk jemi fare të kyqur në procesin  e licensimit që është përgjegjësi e plotë e Odës së Infermierëve të Kosovës dhe ne nuk kemi të bëjmë as me pranim të dokumentacionit. Ne udhëheqim punën ekzekutive dhe nuk qëndron ky pretendim” thotë Gjikolli.

Bujar Gjikolli, Drejtor i Radiologjisë

Sipas tij ai asnjëherë nuk e ka ftuar asnjë teknik në Fakultetin ku ai është Dekan edhe pse thotë se ka teknikë nga Klinika e Radiologjisë që vazhdojnë shkollimin atje.

“ Po ka ata janë që dy vite atje unë jam drejtor që një vit dhe Fakulteti është hapur para dy viteve”thotë ai.

Gjikolli mohon edhe raportimet  e mediave se ai është drejtor mjekësor i një spitali privat duke qenë kështu në konfilkt interesi me pozitën e drejtorit që e ka në Klinikën e Radiologjisë.

“Me marrjen e postit unë kam shkuar në Agjencionin Antikorrupsion se çfarë konflikte të mundshme të interesit mund të kem dhe ata më kanë thënë që sa i përket mjekëve që janë në proces mësimor nuk është konflikt interesi po të me thonin ndryshe me siguri do të veproja ndryshe por ata më kanë thënë se nuk ka nevojë, për çështjet që me kanë thënë kam vepru sipas udhëzimeve të tyre”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit  të cilët nuk kanë dhënë informacione për rastin specifik.

“Në pajtim me Ligjin nr.06/L-011 Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrim të Funksionit Publik, i analizon dhe trajton me shumë kujdes, dhe në rast se vlerësohet se ka elemente për situatë të Konfliktit të Interesit, zhvillohet procedura sipas Nenit 22 të Ligjit nr.06/L-011, duke respektuar konfidencialitetin gjatë gjithë procedurës konform paragrafit 6 të Nenit 22, deri në rezultatet përfundimtare të procedurës së zhvilluar kur ato bëhen të njohura” thuhet në përgjigjen e tyre.

Lidhur me licensimin, Oda e Infermierëve të Kosovës thotë se njësoj si teknikët e radiologjisë janë në pritje për ri-licencim edhe shumë kategori tjera të infermierëve, laborantëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë.

“Ne kemi pasur një proces të vështirë të ri-licencimit që ka përfshirë rreth 10 mijë punonjës shëndetësorë të profileve të ndryshme dhe ky ka qenë një proces shumë i mundimshëm dhe sfidues per Odën. Ky proces i ri-licencimit, i filluar me sukses, vazhdon rrjedhimisht, varësisht prej kohës kur infermierëve iu skadojnë licencat. Ndërkohë, komisioni për valorizim të profileve të caktuara është në proces të shqyrtimit edhe të dosjeve të gjithë aplikantëve të Radiologjisë” thuhet në përgjigjen e tyre.

Oda e Infermierëve thotë se këta teknikë nuk ka nevojë që të shkollohen më tepër për t’u licensuar edhe pse sipas tyre shkollimi do të ishte i mirëseardhur në çdo rast.

“Teknikët e Radiologjisë që kanë përfunduar shkollimin e mesëm përkatës do të rilicencohen, duke u bazuar në Vendimin e Këshillit Drejtues të OIK-ut.Përndryshe, do të ishte mirë që gjithë stafi infermierior të kishte ngritje sa më të lartë profesionale. Synim i OIK mbetet dhe do të jetë edukimi i vazhdueshëm profesional si dhe vlerësimi dhe pagesa e punës së infermierëve në bazë të shkollimit” thotë OIK.

Prorektori për Çështje Akademike në Kolegjin AAB, Shemsedin Vehapi për Gazetën Jeta në Kosovë mohoi se mund të ketë ndonjë presion nga Doktori Bujari që teknikët të shkollohen atje .

“Në programin e Radiologjisë, me të cilin lidhet pyetja e juaj, numri i studentëve është i kufizuar dhe si rezultat i kësaj nuk mund të pranohen të gjithë ata që kanë shprehur interesim. Kjo e bën krejtësisht të paqëndrueshëm pretendimin e dikujt se nga ana e Dr. Bujarit po bëhet presion për t’ u regjistruar në këtë fakultet, aq më tepër kur ne ende nuk kemi dalur as zyrtarisht me konkurs” thotë ai.

Ndërkaq njëri nga teknikët e Radiologjisë i tha KALLXO.com se puna me drejtorin Gjikolli është bërë e vështirë për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes atyre dhe drejtorit,

Kujtojmë se momentalisht profili i shkollimit për radiologë ofrohet vetëm në dy institucione private arsimore në vend, ‘AAB’ dhe ‘Rezonanca’.