Të Premten Vendimi për Rastin e Terrorizmit

Në këtë proces gjyqësor fjalën përfundimtare e paraqiti Hajdin Elezi, ndërsa pas tij këtë fjalë e dhanë edhe avokatët e  të akuzuarve, të akuzuarit tjerë dhe prokurori.

Elezi tha se në Siri ka qenë gjatë periudhës mars-prill të vitit 2013, ndërsa në Stamboll të Turqisë kishte shkuar në vitin 2012 që t’i takonte refugjatët për t’i ndihmuar, pasi sipas tij edhe populli i Kosovës ishte refugjat.

Pas Elezit, fjalën përfundimtare e paraqiti prokurori. Ai hoqi dorë nga aktakuza për Ibrahim Reshitin për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi ajo armë ishte e babait të këtij të akuzuari.

Për të akuzuarit tjerë prokurori kërkoi që të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Avokatët e katër të akuzuarve që kanë pranuar fajësinë kërkuan që kjo rrethanë të merret si lehtësuese për të mbrojturit e tyre, duke kërkuar nga gjykata dënim sa më të butë për ta.

Avokatët e të akuzuarve tjerë thanë se në gjykim nuk janë paraqitur prova të mjaftueshme dhe të mbrojturit e tyre duhej të liroheshin.

Kryetarja e trupit gjykues tha se shpallja e aktgjykimit do të bëhet të premten.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015 ndaj Hafiz Ahmetit, Naser Avdylit, Ibrahim Reshitit, Albert Berishës, Enis Begollit, Skënder Sylës, Hajdin Elezit, Hajrush Lajçit, Agron Likës, Muxhahid Bravës dhe Samedin Halimit. Për armëmbajtje tani në vend të Agron Likës akuzohet prindi i tij Latif Lika, pasi arma kishte qenë e tij.

Samedin Halimi e Latif Lika akuzohen nga prokuroria për armëmbajtje pa leje, ndërsa të tjerët për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Pas seancës për KALLXO.com avokati Hazër Susuri tha se pret lirim të klientit të tij Naser Avdyli.

“Kemi ardhur deri te fundi, përkatësisht tek fjala përfundimtare. Prokurori e dha fjalën përfundimtare si dhe mbrojtja me të cilën pretendon se te klienti im nuk ka elemente për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet. Shpresojmë nga gjykata që të shqiptojë një aktgjykim lirues ndaj tij,” tha avokati Susuri.