Kumanova pas shkëmbimit të zjarrit. Foto nga: AP / Visar Kryeziu

Të Arrestuarit e Kumanovës Pretendojnë të Jenë Torturuar nga Policia

Avokatët e 29 personave të armatosur të akuzuar për pjesëmarrje në shkëmbimin e përgjakshëm të zjarrit me policinë që la 18 të vdekur në Kumanovë vitin e kaluar pretendojnë se klientët e tyre janë torturuar në mënyrë të vazhdueshme.

“Torturimi i të pandehurve është i dukshëm dhe ka ndodhur që nga dita e parë që ata u arrestuan deri në seancën e fundit dëgjimore. Nuk ka pasur asnjë seancë gjyqësore deri më tani që të paktën një nga të pandehurit të mos jetë ankuar se është abuzuar apo torturuar,” tha për mediat një nga avokatët, Naser Raufi.

Avokati Mefail Asllani, i cili përfaqëson gjithashtu disa nga të pandehurit, tha se ata po prisnin një raport nga gjykata, i cili do të konfirmojë se të pandehurit janë torturuar, duke thënë se ata do të ngrenë padi kundër zyrtarëve që kanë abuzuar me pozitën e tyre.

“Gjykata na informoi se gjatë seancës së fundit, ata konfirmuan abuzimin fizik të dy të pandehurve dhe vunë re lëndime të lehta. Raporti i mjekut është dërguar në gjykatë,” tha Asllani.

Avokatët thanë se klientët e tyre janë torturuar në burg, ku ata kanë kaluar më shumë se një vit dhe ndërsa ata janë transportuar drejt dhe nga gjykata.

Por Ministri i Drejtësisë Valdet Xhaferi i mohoi akuzat, duke këmbëngulur se ai po e mbante nën vëzhgim nga afër atë që po ndodhte me të pandehurit për të parandaluar ndonjë torturim të mundshëm.

Xhaferi tha se ai personalisht kishte kontaktuar me zyrtarë nga burgjet ku po mbaheshin të pandehurit dhe kishte marrë informacione se të gjithë ata po trajtoheshin sipas ligjit.

“Fola direkt me të gjithë zyrtarët e burgut ku po mbahen të pandehurit në Shkup, Prilep dhe Bitola, si edhe me avokatët që përfaqësojnë të pandehurit dhe të gjithë konfirmuan se të pandehurit as po torturohen dhe as po abuzohen në ndonjë mënyrë,” tha ai për TV 21.

Megjithatë, Raufi mohoi të jetë kontaktuar nga Xhaferi.

“Nuk më ka kontaktuar asnjë ministër, as ministri i brendshëm dhe as ai i drejtësisë,” tha ai.

Shkëmbimi i zjarrit në Kumanovën me etni të përzierë nga 9 deri më 10 maj të vitit të kaluar la 18 të vdekur, përfshirë edhe 8 oficerë policie.

Policia tha se ata po përpiqeshin të ndalonin një grup të armatosur “terroristësh” shqiptarë etnikë që po planifikonin sulme në Maqedoni. Të gjithë burrat në gjyq i kanë mohuar akuzat për terrorizëm.

Gjyqi për këtë çështje vazhdoi të hënën dhe të martën në Gjykatën Penale në Shkup, me dëshmitarët e mbrojtur që dëshmuan me dyer të mbyllura.

Deri në fund të gushtit, gjykata duhet të ketë dëgjuar dëshmitë e rreth 40 dëshmitarëve të mbrojtur, pas të cilës gjyqi pritet të rihapet për mediat.