Svarqa Kushtëzon Qytetarët me Shlyerjen e Borxheve

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, duke iu përgjigjur reagimeve të qytetarëve dhe shoqërisë civile, ka arsyetuar kushtëzimin për nxjerrjen e vërtetimeve të tatimit në pronë me pagesën e borxheve ndaj institucioneve dhe kompanive publike.

Svarqa thotë se kjo ishte e pashmangshme.

“Kryetari i Ferizajt dëshiron të sqarojë se nuk parapëlqen masat shtrënguese ndaj qytetarëve, pos në raste kur borxhet neglizhohen skajshmërisht. Borxhet ndaj Komunës së Ferizajt dhe kompanive publike kanë kaluar shumën 15 milionë euro dhe kanë rënduar funksionimin e kompanive”, thekson Zyra për Informim e Komunës së Ferizajt.

Svarqa ka thënë se urdhëresa ka mbështetje ligjore në nenin 15 të Ligjit për mbeturinat, pika 1.8, ku thuhet: “Komuna cakton tarifat dhe mënyrën e inkasimit të mjeteve financiare për shërbimet komunale”.

Po ashtu, kreu i Komunës sqaron se urdhëresa për kushtëzimin e vërtetimit të tatimit në pronë me pagesën e borxheve ndaj institucioneve dhe kompanive publike lidhet me afatin e Ligjit për Faljen e Borxheve.

Sipas njoftimit të Komunës së Ferizajt, që citon shënimet e Drejtorisë së Financave, qytetarët e komunës së Ferizajt përfitojnë 2.5 milionë euro nga ky Ligj.