Foto: Kallxo.com

Studentët e UP-së bëhen me qendër për drejtësinë tranzicionale

Një qendër për drejtësinë tranzicionale është hapur sot në Universitetin e Prishtinës si mundvsi që studentët të kenë kushte më të mira studimi të së kaluarës së vendit dhe krimeve të luftës.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, tha se pret që kjo qendër të ndikojë pozitivisht në rritjen e punës kërkimore në universitet.

“Kjo është qendra e parë kërkimore dhe studimore e themeluar ne UP për drejtësi tranzicionale. Kjo synon ta rrisë cilësinë e arsimit në universitet”, tha Demaj.

Edhe Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB për Zhvillim dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, përgëzoi UP-në për krijimin e kësaj qendre.

“Kjo na ndihmon në krijimin e njohurive dhe nëse shohim nëpër botë, drejtësia tranzicionale është kyç në krijimin e mirëbesimit”, tha ajo.

“Ne Kosovë ka pasur përparime në këto fusha dhe është një përkushtim mjaft i madh që të kemi drejtësi tranzicionale’, shtoi Richardson.

“Ju të rinjtë jeni e ardhmja e Kosovës dhe njohuria është fuqi dhe ju e dini që me këtë qendër mund t’i forconi njohuritë tuaja. Përdoreni qendrën sa më shume sepse do jetë një force për ndryshime shoqërore”, porositi Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së.

Annette Fath-Lihic, këshilltare e lartë politike në Zyrën e Përfaqësueses së BE-së në Kosovë, tha se themelimi i kësaj qendre do ta rritë cilësinë e arsimit në Kosovë.

“Është mjaft e rëndësishme se procesi i drejtësisë tradicionale ka rëndësi të madhe. Kemi nevojë që gratë të përfshihen në këtë qendër sepse kjo qendër do ndihmojë që të bëjmë strategjinë dhe të rrisim pjesëmarrjen e grave në këtë qendër dje ta rrisin zërin e tyre”, tha ajo.

Ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se e kaluara e Kosovës ka qenë e hidhur ndërsa u shpreh se vendi nuk ka bërë sa duhet për t’i zbardhur krimet e luftës, e sidomos për të hedhur dritë mbi fatin e personave të pagjetur.

“Gjatë kohës sa isha në detyrë jam ulur në tavolinë me gra të dhunuara gjatë luftës dhe i kam mbështetur”.

“Na mungon një debat i vazhdueshëm publik për të kaluarën tonë. Kur heshtja kolektive mbizotëron, ajo shndërrohet në mohim kolektiv dhe formon një krizë”, tha ajo.

“Shteti i Serbisë duhet ta ndryshojë qasjen e saj ndaj Kosovës. Duhet ta mbyllë kapitullin e luftës dhe kjo mund të bëhet kur të vendoset drejtësi për krimet e luftës në Kosovë”, shtoi Atifete Jahjaga.

Ndërsa Flora Macula, shefe e Zyrës së UN Women në Prishtinë rikujtoi një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila e njeh dhunën seksuale të përdorur si mjet lufte.

“Është me rëndësi që ju filloni punën në këtë drejtim sidomos për dhunën seksuale. Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës përballen me sfidë për mbijetesë dhe është mirë që rinia kosovare t’i japë fund kësaj stigme”, tha Macula.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Strand Sjasstad, tha se është thelbësore që të studentët të kenë integritetin dhe maturinë e mendimit kritik meqë një treg pune i pret ata pasi t’i përfundojnë studimet.

“Asnjëherë nuk është e lehtë në narrativët për luftën por gjithmonë duhet të tregojmë për atë se çka ka ndodhur duke siguruar që është një detyrë shumë e gjerë që përfshin masat dhe institucionet”, tha ambasadori norvegjez.

“Besoj që drejtësia tranzicionale në UP do ketë shumë mundësi që të vazhdojë punën mirë dhe të japin këshilla te politikbërësit”, tha ai.