Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq - Foto: RTK

Stefanoviq: Perëndimi po lobon për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, deklaroi se Kosova zyrtarisht dhe ligjërisht nuk do të mund të kandidonte për anëtarësim në Interpol, por presionet e vendeve të fuqishme perëndimore janë të mëdha, që kërkesa për anëtarësimin e saj në Interpol të mund të aprovohet në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Përgjithshëm të Interpol-it.

Sipas tij, “Kosova mund të bashkëpunojë me Interpol-in, sepse është pjesë e Serbisë, por që si protektorat ka UNMIK-un”, njoftojnë mediat serbe.

Më tej, Stefanoviq deklaroi se Serbia do të përpiqet që ta heqë nga rendi i ditës kërkesën që Kosova të bëhet anëtare e Interpol-it, që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Nëse arrijmë të bëjmë këtë, do të përpiqemi ta bindim Interpol-in që anëtarësimi i Kosovës është e dëmshme për vet organizatën”, deklaroi, mes tjerash, Stefanoviq.

Stefanoviq, veç tjerash, kujtoi mbledhjen e kaluar të kësaj organizate botërore të sigurisë, të mbajtur në Kinë, kur Kosova nuk arriti të anëtarësohej.

Ai shtoi se “disa vende po përpiqen ta vënë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në  institucionet e ndryshme ndërkombëtare, tani, derisa po zhvillohet dialogu për arritjen e një zgjidhjeje të përhershme mes dy vendeve”./RTK