Foto: Ministria serbe e Mbrojtjes

Ministri serb i Mbrojtjes: Ushtria e gatshme të mbrojë qytetarët me urdhër të presidentit

Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Milan Mojsiloviq kanë vizituar sot garnizonin e Rashkës dhe të Novi Pazarit, ku një pjesë e forcave aktive të Ushtrisë janë në shkallën e parë të gatishmërisë.

Këto garnizone janë afër kufirit me Kosovën, në zonën e Jarinjës, përkatësisht të Bërnjakut, ku autoritetet e Kosovës kanë dërguar njësitë speciale të Policisë për të parandaluar ndonjë ekses gjatë zbatimit të masës së reciprocitetit për targat e automjeteve.

Që nga e hëna, autoritetet e Kosovës kanë vendosur që secili automjet me targa të Serbisë duhet të pajiset me targa të përkohshme, ashtu siç parasheh marrëveshja e nënshkruar në Bruksel.

Sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, ministri Stefanoviq ka thënë se pjesëtarët e Ushtrisë serbe në njësitë që janë në gjendje të gatishmërisë së shtuar luftarake janë shumë të motivuar dhe të gatshëm për të mbrojtur “njerëzit tanë“.

“Ushtria është e gatshme të mbrojë njerëzit e saj me urdhër të presidentit”, citohet të ketë thënë ai.

“Ushtria jonë nuk provokon, vendi ynë dëshiron paqe dhe çdo zgjidhje që i jep një jetë më të mirë të gjithëve, por siç tha presidenti – kurrë nuk do të ketë pogrome ndaj popullsisë serbe, nuk do të ketë “Stuhi” të reja, dhe operacione të ngjashme”, citohet të ketë thënë ministri, duke përmendur operacionin “Stuhia” të forcave kroate të gushtit 1995, gjatë të cilit u shpartalluan forcat serbe dhe forcat kroate morën kontrollin në Republikën e vetëshpallur të Krajinës.

Stefanoviq ka lavdëruar pajisjet ushtarake dhe moralin e ushtarëve të garnizoneve që ka vizituar.

Lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës, ministri citoi presidentin Aleksandar Vuçiq që, sipas tij, ka thënë se “Ne nuk kemi dërguar ushtri apo polici, ne nuk kemi bërë asnjë lëvizje të vetme që do të rrezikonte jetën e njerëzve në asnjë mënyrë. Ne nuk kemi ndërmarrë asgjë që mund të interpretohet si provokim”.

Ministri serb ka treguar se gjenerali Mojsiloviq është në kontakt të vazhdueshëm me komandantin e KFOR -it.