Konferenca e Federatës së Sindikatave të Shërbyesve Civilë | Foto: KALLXO.com

Sindikata: T’u Përmirësohen Kushtet Shërbyesve Civilë

Përfaqësues të Federatës së Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHCRK) në një konferencë për medie kërkuan trajtim më të mirë të këtyre punonjësve në mënyrë që ata ta kryejnë punën si duhet.

“FSSHCRK-ja kërkon nga institucionet vendimmarrëse që të marrin parasysh kërkesat e vazhdueshme, sipas normave ligjore, të nëpunësve civilë për të përmirësuar kushtet e punës në përgjithësi, në mënyrë që të jenë sa më profesionalë, ku do të rritet edhe efekti i ofrimit të shërbimeve sa më të mira për qytetarë,” tha Hajrullah Hoxha, kryetar i federatës së sindikatave.

Hoxha deklaroi se ngritja e koeficienteve dhe gradimet e shërbyesve civilë po bëhen nga njerëzit e politikës për të manipuluar këta shërbyes.

“FSSHCRK-ja konstaton se ky veprim është monopol për njerëz të caktuar të politikës që mund të përdoret si formë e manipulimit me shërbyesit civilë,” tha Hajrullahu.

Në maj ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar në mbledhjen e qeverisë tha se kjo ministri deri më tash ka klasifikuar 15 mijë nëpunës civilë në përpjekje për të standardizuar pagat dhe pozitat e tyre.

http://kallxo.com/klasifikohen-15-mije-nepunes/

Federata e Sindikatave kërkoi që Ligji për Pagat e Nëpunësve Civilë dhe  Rregullorja për Vlerësimin e Shërbyesve Civilë të vihet në zbatim, pasi me moszbatimin e tyre po u shkelen të drejtat e punonjësve.

“Moszbatimi i këtyre rregullave do të ndikojë në pakënaqësi dhe neglizhencë tek punonjësit civilë në veçanti, e që do të reflektohet edhe tek qytetarët në përgjithësi,” tha kryetari i federatës sindikale.

Kur partnerët e koalicionit PDK-LDK paralajmëruan zvogëlimin e numrit të ministrive, KALLXO.com shkroi për frikën e nëpunësve civilë për largim nga puna, por qeveria atëherë e mohoi se do të largojë ndonjë shërbyes civil nga puna.

http://kallxo.com/frike-te-sherbyesit-civile-se-mund-te-pesojne-nga-reduktimi-ministrive/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri