Policia amerikane në një zonë krimi - Foto: REL/AFP

‘Shumë viktima’ nga të shtënat në Merilland

Policia lokale në shtetin amerikan, Merilland, ka njoftuar për “shumë viktima”, si pasojë e të shtënave në një qendër të shpërndarjes së produkteve farmaceutike.

Të shtënat kanë ndodhur të enjten, në zonën Perriman, rreth 40 kilometra larg, Baltimores.

Zyrtarët kanë njoftuar edhe për “shumë persona të plagosur, derisa i dyshuari është duke u mbajtur në “gjendje kritike”.

Mediat amerikane kanë raportuar se tre persona janë vrarë, dhe se sulmuesja ka qenë grua, mirëpo Zyra e Sherifit nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Kjo Zyrë u ka bërë thirrje banorëve të largohen nga zona, mirëpo më vonë përmes një postimi në Twitter ka thënë se “nuk ka kërcënim tjetër për komunitetin”.

Zyrtarët e FBI-së janë parë në vendin e ngjarjes, vetëm pak minuta pas sulmit.

Në një konferencë për media të enjten, Sherifi i Qarkut Harford, Jeffrey Gahler ka thënë se ka mundësi që i dyshuari ka pasur vetëm një armë të zjarrit dhe se zyrtarët nuk kanë shtënë në skenën e sulmit.

Identiteti dhe motivet e sulmit nuk janë bërë të ditura. (REL)