Foto: REL/Reuters

Sulm i armatosur në një shkollë në ShBA, një i vrarë e disa të plagosur

Së paku një person është vrarë, dhe disa të tjerë janë plagosur kur një i armatosur hapi zjarr në një shkollë të mesme në Kaliforni, njoftuan zyrtarët.

Incidenti ndodhi në Shkollën e Mesme Saugus në veri të Los Angeles, disa minuta para se të fillonte orari mësimor.

Policia e përshkroi të dyshuarin si një aziatik i veshur me rroba të zeza, raporton BBC.

Autoritetet e mbyllën shkollën dhe institucionet tjera arsimore në afërsi.

Sipas faqes LA Times, i dyshuari është një 15 vjeçar.

Transmetimet e drejtpërdrejta nga helikopteri treguan zyrtarët policorë në vendin e ngjarjes dhe të plagosurit duke u bartur përmes autoambulancave.

Policia iu bëri thirrje njerëzve që jetojnë në afërsi, të mbyllin dyert e shtëpive, derisa kërkimet për të gjetur të dyshuarin po vazhdojnë./REL