Gjykimi për vrasjen e Shemsi Gashit | Foto: KALLXO.com

Do të Shtyhet Gjykimi për Vrasjen e Policit

Me kërkesën e avokatit të të akuzuarit Kujtim Bejiqi, Bashkim Nevzati, pritet të shtyhet gjykimi i cili po zhvillohet ndaj të akuzuarve për vrasjen e rreshterit policor, Shemsi Gashi, në mars të vitit 2015.

Aktgjykimi në këtë rast pritej të shpallej afër tre javë më parë, por që trupi gjykues ka parë të arsyeshme që të bëjë rihapjen e shqyrtimit gjyqësor me qëllim të sqarimit të disa rrethanave.

Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars 2015 në Lagjen “Mati” të Prishtinës rrugës për në zyrën e tij, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzon tetë persona, një pjesë e madhe e të cilëve janë të afërm të tij.

Hetimet e Prokurorisë së Prishtinës kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë motiv punën të cilën Gashi e kishte kryer në Policinë e Kosovës.

Motivi i ngjarjes sipas Prokurorisë  ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit.

Bëhet fjalë për një parcelë pronësore prej 40 ari në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, të cilën e kishin trashëguar bashkërisht nga paraardhësit e tyre.

Po ashtu aktakuza Ramadan Gashin, Mujë Gashin, Robert Gashin, Vesel Bunjakun  dhe Vesel Gjinovcin i ngarkon edhe për armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.