Bukë - Foto: KALLXO.com

Shtrenjtimi i bukës, 'tharmi' i indeksit të konsumit në muajin korrik

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte -0.3 për qind në muajin korrik të sivjetmë krahasuar me muajin paraprak, muajin qershor. Çmime lehtësisht më të shtrenjta ishin edhe në raport me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Buka dhe drithërat shënuan rritje çmimesh.

ASK tregon se perimet, pemët, vezët, qumështi dhe produktet tjera shënuan rënie.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-1.8%); pemë (-3.8%); perime (-12.1%); pijet alkoolike (-1.8%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1.2%) – (rënie e çmimeve të drunjve për ngrohje), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.7) për qind në IHÇK“, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 0.5 për qind; duhan 1.5 për qind; përdorim i pajisjeve për transportin personal 3.1 për qind -(ngritje e çmimeve të naftës dhe benzinës), shërbime për transport 5.9 për qind -(ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK.

Ndërkaq, norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin korrik 2020 me muajin e njëjtë 2019, ishte -0.1 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.1%) në muajin korrik 2020, krahasuar me muajin korrik 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: perime (-4.5%); pije alkoolike (-2.0%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-15.6%) – (rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.4%) në IHÇK”, thuhet në komunikatë.

Sipas ASK-së, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 2.4 për qind; mish 1.1 për qind; qumësht, djathë dhe vezë 2.1 për qind; pemë 5.6 për qind; sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 4.5 për qind; kafe, çaj dhe kakao 5.9 për qind; ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet 1.5 për qind; duhan 2.1 për qind; produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje 5.0 për qind; shërbime ambulantore 5.5 për qind; blerje e automjeteve 0.8 përqind; shërbime hoteliere 2.8 përqind; kujdes personal 1.7 përqind; gjëra personale 3.3 përqind; sigurime 19.7 përqind – (ngritje e çmimeve të sigurimeve të automjeteve), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.3 për qind në IHÇK.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin  e raportit “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin korrik 2020.