Ilustrim Parisi - Foto: REL/AFP

Shqiptarët, Azilkërkuesit më të Mëdhenj në Francë

Franca ka regjistruar numër rekord të kërkesave për azil në vitin 2017, bëri të ditur Zyra për Refugjatë e këtij vendi.

Sipas saj, shqiptarët kanë kryesuar listën, pavarësisht shanseve shumë të vogla për marrjen e statusit të refugjatit, krahasuar me njerëzit nga vatrat e luftës, si Siria apo Afganistani.

“Kërkesat për azil janë rritur për 17 për qind, përkatësisht në 100,000, që është shifra më e lartë në së paku katër dekada”, tha Pascal Brice, kryesues i Zyrës franceze për Refugjatë.

“Ky nuk është fluks masiv dhe ne jemi në gjendje ta trajtojmë situatën”, tha Brice, transmeton Reuters.

Të dhënat e Zyrës për Refugjatë bëjnë të ditur se kërkesat për azil nga shqiptarët janë rritur për 66 për qind, krahasuar me vitin 2016, porse norma e pranimit ka qenë e ulët – vetëm 6.5 për qind.

Për krahasim, norma e pranimit ishte 95 për qind për sirianët, 85 për qind për afganët dhe 59 për qind për sudanezët.

Brice e quajti mbizotërimin e kërkesave të shqiptarëve “një fenomen ciklik”. (REL)