Shkurti i Rritjes së Importit dhe Eksportit

Nga të dhënat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës Kosova edhe për muajin shkurt 2016 vazhdon të jetë në deficit tregtar.

Muaji shkurt 2016 është karakterizuar me një deficit prej 169.6 milionë euro krahasuar me vlerën prej 140.5 milionë euro që ishte në periudhën e njëjtë të vitit 2015.

Eksporti mbulon importin me 12.4 për qind.

Gjatë muajit shkurt 2016, Kosova arriti të eksportojë mallra në vlerë prej 24 milionë eurove, ndërsa importi ishte në vlerën 193.6 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, eksportet kanë pasur rritje prej 3.2 për qind dhe importet për 18.2 për qind.

Sipas të dhënave, metalet bazë dhe artikujt e tyre përbëjnë pjesën më të madhe për eksport me 44.3 për qind, të pasuara nga produktet minerale me 13.7 për qind, plastika, goma dhe artikuj e tyre me 8.0 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 7.7 për qind, tekstili me 4.2 për qind, produktet bimore me 4.0 për qind, etj.

Ndërsa, grupet kryesore të importit janë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani që përbëjnë 13.5 për qind të tij, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 12 për qind, produktet minerale me 11.4 për qind, produktet e industrisë kimike me 9.1 për qind, metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 9 për qind, ndërsa mjetet e transportit, plastika, goma, produktet bimore dhe artikujt e tyre vazhdojnë të importohen më pak.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së janë 6.9 milionë euro apo rreth 28.7 për qind e eksporteve të përgjithshme, ku shënohet një rënie prej 26.9 për qind. Bullgaria është vendi kryesor për eksportin e mallrave me vendet e BE-së me një pjesëmarrje prej 4.8 për qind, pasuar nga Gjermania me 4.5 për qind, Holanda me 4.3 për qind dhe Franca 3.3 për qind.

Kurse importet e Kosovës nga vendet e BE-së janë rreth 83.4 milionë euro apo 43.1 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22.7 për qind. Importet me pjesëmarrjen më të lartë ishin nga Gjermania me 13.8 për qind, Italia me 7.4 për qind dhe Greqia me 3.7 për qind.

Ndërkaq eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s për muajin shkurt 2016 arritën në 8.1 milionë euro apo 33.9 për qind të eksporteve të përgjithshme dhe kishte një rritje prej 22.7 për qind. Për këtë muaj Shqipëria është partneri kryesor për eksport me 10.3 për qind, ndjekur nga Maqedonia me 8.6 për qind, Mali i Zi me 6.3 për qind dhe Serbia me 5.4 për qind.

Importet e Kosovës me këto vende të CEFTA-s në muajin shkurt 2016 arritën në 50.7 milionë euro ose me një pjesëmarrje prej 26.2 për qind të importeve të përgjithshme dhe me një rënie prej 2.7 për qind. Serbia vazhdon të ketë pjesëmarrje të lartë të importeve prej 14.5 për qind, pasuar nga Maqedonia me 5.3 për qind dhe Shqipëria me 3.5 për qind.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në vlerën e 9 milionë eurove, ndërsa importet arritën në shumën e 59.4 milionë eurove.

Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport janë India me 7.5 për qind, Zvicra me 4.4 për qind dhe Turqia me 2.4 për qind, kurse vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup janë Turqia me 9.7 për qind dhe Kina 9.1 për qind.

Kosova në muajin dhjetor 2015 kishte një deficit tregtar prej 230 milionë eurove dhe eksporti atëherë kishte mbuluar importin me 9.3 për qind.

http://kallxo.com/kosova-blen-ne-serbi-shet-ne-indi [interaction id=”56fe3ced82287b5830ca07c8″]