SHBA planifikon ‘të tërhiqet nga Siria’

Shtetet e Bashkuara po përgatiten për tërheqjen e të gjitha trupave nga Siria, raportojnë mediat amerikane.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes i tha CNN-it se plani është për tërheqje “të plotë” dhe “të shpejtë”.

Janë rreth 2,000 trupa amerikane në Siri, që mision kryesor kanë pasur trajnimin e forcave lokale për të luftuar grupin militant Shteti Islamik.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka premtuar muaj më parë se trupat amerikane do të tërhiqen “shumë shpejt” nga Siria.

“E kemi mundur Shtetin Islamik në Siri”, tha Trump sot në Twitter.

Shteti Islamik është mposhtur në pjesën më të madhe të Sirisë, por besohet se luftëtarët e tij vazhdojnë të jenë aktivë në disa lagje të vogla.