Gurthemeli për apartamentet

Serbia Ndërton 235 Apartamente për Refugjatët e Luftës

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq tha të premten në Beograd pas vendosjes së gurit të parë të themelit për ndërtimin e apartamenteve që pas kaq shumë vitesh çështja e strehimit të refugjatëve nga luftërat e viteve 1990 do të zgjidhej.

“Ajo që ka më shumë rëndësi është që integrimi i tyre i plotë në shoqëri u plotësua,” tha Daçiq.

Ai premtoi se ndërtimi i apartamenteve do të çojë në mbylljen e “qendrave kolektive” të përkohshme ku disa refugjatë kanë jetuar qëkur u larguan nga Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kostoja e projektit është 9,8 milionë euro dhe ndërtimi i apartamenteve është pjesë e Programit të Strehimit Rajonal, i cili po përpiqet të trajtojë problemet e strehimit të refugjatëve në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Malit të Zi dhe Kroaci.

Kjo duhet të zgjidhë problemet e strehimit të më shumë se 16,700 familjeve refugjate që jetojnë në Serbi, tha Daçiç – një total prej 45,000 personash.

Kreu i delegacionit të BE-së në Serbi, Michael Davenport, ambasadori i Shteteve të Bashkuara Kyle Skat, nënkryetari i Bashkisë së Beogradit Andrija Mladenoviq, Komisionari i Serbisë për Refugjatët Vladimir Cuciq dhe ambasadori i OSBE-së Peter Burkhard morën pjesë në ngjarjen e së premtes.

Gjatë konflikteve të viteve 1990, më shumë se gjysma e popullsisë së Bosnjës – rreth 2.2 milionë banorë u zhvendosën, ose u bënë refugjatë. Në Kroaci, numri i personave të zhvendosur ishte 550,000 dhe në Serbi 540,000.

Sipas komisionit serb për refugjatët, 250,000 njerëz u arratisën nga Kosova pas luftës në vitin 1990.

Shumë nga refugjatët fillimisht u strehuan nëpër qendra kolektive, por numri i tyre është ulur gradualisht me kalimin e viteve.

Gjatë muajve të fundit në Serbi ka pasur nëntë qendra kolektive që akomodonin 254 persona dhe tetë të tjera në Kosovë ku strehohen 353 persona, sipas komisionit për refugjatët.

Megjithatë, ndërsa numri i refugjatëve të pastrehë nga luftërat e viteve ‘90 po zvogëlohet, Serbia është përballur me çështje të reja si një nga vendet kyçe në të ashtuquajturin “itinerarin ballkanik”, një korridor i madh për refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Gjatë krizës globale të refugjatëve në vitin 2015, më shumë se një milion persona kaluan përmes Serbisë në rrugën e tyre drejt vendeve të BE-së. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, rreth 100,000 refugjatë kaluan përmes Serbisë.

Numri i refugjatëve në Serbi është rritur vazhdimisht që kur Hungaria rriti sigurinë në kufirin e saj në fillim të korrikut.

Sipas zyrtarëve, rreth 500 refugjatë hyjnë në Serbi çdo ditë, por jo shumë prej tyre duket se vazhdojnë rrugën e tyre, duke qenë se kufiri me Hungarinë është mbyllur.

Aktualisht në Serbi ekzistojnë pesë kampe refugjatësh – në Krnjaca pranë Beogradit, në Sjenica, Tutin, Bogovadja dhe Banja Koviljaca, si edhe shumë streha tranzite.