Ndërtimtari - Foto: Rtv21

Rritet numri i punëtorëve të lënduar në vendin e punës

Numri i punëtorëve kosovarë që kanë pësuar lëndime në vendin e punës ka shënuar rritje.

Deri në fund të muajit korrik të këtij viti Inspektorati i Punës ka regjistruar 73 raste të lajmëruara të aksidenteve në punë.

Këtë shifër e bëri të ditur për KALLXO.com zëvendës kryeinspektori për Siguri në Punë në kuadër të Inspektoratit të Punës, Agim Millaku.

“Është e vërtetë se numri i rasteve të aksidenteve në punë të lajmëruara në Inspektoratin e Punës është rritur dukshëm e kjo ka ardhur si rezultat i vetëdijesimit të shtuar si të punëdhënësve edhe të punëtorëve, për realizimin e të drejtave të tyre në rastet e pësimit të aksidenteve në punë”, ka thënë Millaku.

Pak ditë më parë, katër punëtorë në Ferizaj kanë pësuar lëndime trupore pasi kanë rënë nga një lartësi prej 8 metrash përderisa ishin duke punuar në një objekt.

https://kallxo.com/ferizaj-4-punetore-bien-nga-nje-lartesi-prej-8-metrash/

Lidhur me këtë, Millaku ka treguar të dhënat që Inspektorati në Ferizaj i posedon për lëndimin e punëtorëve në fjalë.

“Me datën 15.09.2018 në orën 11:50 në Ferizaj ka ndodhur një aksident në punë në vendpunishte ndërtimi rr. Rexhep Bislimi. Lëndimi ka ndodhur si pasojë e rënies së të aksidentuarve në hapësirën e dedikuar për ashensor nga lartësia prej 8.4m. Rasti është në procedurë”, tha ai.

Për shkak të numrit të lartë të lëndimeve të punëtorëve të ndërtimtarisë, Inspektorati i Punës thotë të jetë fokusuar për monitorimin e këtij sektori.

“Duke pasur parasysh numrin më të madh të aksidenteve që po na ndodhin në sektorin e ndërtimtarisë, IP-ja është fokusuar në veçanti në monitorimin e vend punishteve në këtë sektor duke i dhënë prioritet, me qëllim të rritjes së sigurisë në punë dhe krijimit të ambientit të shëndetshëm në vendet e tyre të punës, në të cilat punëtorët kryejnë aktivitete të punës”, thuhet në përgjigjen e Millakut për KALLXO.com.

Sipas tij, në periudhën janar-korrik Inspektorati i Punës ka realizuar 5628 inspektime në subjektet punuese.

Ndërsa sa i përket respektimit të Ligjit të Punës, Millaku shton se  deri tani nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë certifikuar 55 persona fizikë dhe janë licencuar 6 persona juridikë për vlerësimin e rriskut, të cilët ndër të tjerash do të organizojnë trajnime për punëtorët se si të veprojnë gjatë punës.

“Ndikim të konsiderueshëm në këtë ka edhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nga Inspektorati i punës në kuptimin se secili punëdhënës me mbi 50 deri 250 të punësuar ka obligim të punësojë me orar të shkurtuar ose të plotë punëtorin për siguri dhe shëndet në punë të certifikuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale  për ushtrimin e detyrave të punës në mënyrë profesionale dhe punëdhënësi  me mbi 250 të punësuar duhet ta këtë të punësuarin e tillë me orar të plotë të punës”, thuhet në përgjigjen e tij.

Zbatimin e Ligjit të Punës dhe atij për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ditë më parë e kishte kërkuar edhe Partia Socialdemokrate.

PSD-ja ka ftuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Inspektoratin e Punës të sigurojnë urgjentisht zbatimin dhe monitorimin në përpikëri të këtyre ligjeve.

“Mos sigurimi i kushteve bazike të sigurisë në punë flet zëshëm për trajtimin e punëtorëve në Kosovë. Punëtorët, veçanërisht ata në sektorin privat, punojnë në kushte shumë të vështira, për një pagë minimale, me orar të tejzgjatur, pa pushim të merituar dhe pa kurrfarë sigurie”, thuhej në deklaratën e këtij subjekti politik.

Në anën tjetër, Inspektorati i Punës në kuadër të MPMS-së njofton se ka filluar fushatën për informimin e punëdhënësve dhe punëtorëve, për nevojën e shtuar dhe domosdoshmërinë e ngritjes së nivelit të sigurisë dhe krijimit të kushteve të punës të pranueshme dhe të parrezikshme në vendet e tyre të punës.