Foto: Ilustrim

Rrahje e Krismë Arme në Restorant “Paradiso”

Policia në Prizren njoftoi sot se rreth orës 4:25 të mëngjesit ka pranuar një informatë, e cila bënte me dije se në ambientet e restorantit “Paradiso”, në rrugën “Kukësi”, ka ndodhur një rrahje dhe se është dëgjuar edhe një krismë nga arma e zjarrit.

“Pas shpërndarjes së informatës nga Qendra Operative kanë reaguar njësitet patrulluese që kanë qenë duke patrulluar më afër lokacionit dhe shpejt i kanë ndaluar të dyshuarit. Njëri nga të dyshuarit është ndaluar derisa po largohej me një automjet “Jeep” dhe gjatë kontrollit është zbuluar një pistoletë ‘M-70 Zastava’ me 5 fishekë të kalibrit 7.65 mm”, njoftoi zëdhënësi i Policisë Regjionale të Prizrenit, Hazir Berisha.

Zëdhënësi po ashtu njoftoi se  është sekuestruar edhe një veturë e llojit “Audi”.

Përveç kësaj, sipas zëdhënësit të Policisë Regjionale, ekipet e krim-teknikës kanë sekuestruar një gëzhojë të fishekut në ambientet e restorantit.

“Ende nuk janë intervistuar të dyshuarit ngase kanë qenë nën ndikim të alkoolit. Në konsultim me prokurorin,  poseduesi i armës ndalet nën masën e arrestit policor”, ka thënë Berisha.