Rishpallja e Konkursit Çrregullon Mësimin në Gjimnazin e Pejës

Anulimi nga Inspektorati i Punës i konkursit të 12 gushtit, me ç’rast dy mësimdhënëseve të pranuara të matematikës iu është ndërprerë marrëdhënia e punës, ka çrregulluar procesin mësimor në gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë.

Rrezarta Rama dhe Krenare Mulaj ishin pranuar në konkursin e parë dhe kishin filluar të japin mësim më 18 shtator.

Ndërkohë që po punonin, sipas Rrezarta Ramës, Drejtoria e Arsimit e ka rihapur konkursin më 18 tetor, në të cilin janë zgjedhur dy kundërkandidatët e tyre që ishin në konkursin e parë.

“Këta kanë qenë kundërkandidatë edhe në afatin e parë, edhe në afatin e dytë. Në afatin e parë paskemi dalë na. Si kriter e kanë marrë rezultatin e pikëve. Nëse personat përgjegjës të Komisionit që janë dokumentet i kanë pasë në tavolinë, si tonat si të atyre, pse atëherë ata nuk i kanë shikuar kriteret bazike që thonë në bazë të tyre është anuluar konkursi jonë, na kanë përzgjedh neve. A është faji këtu te na apo është faji te ata”, tha Rama.

Dy mësimdhënëset e matematikës thonë se sot janë njoftuar se nuk do t’u lejohet më të hynë në gjimnaz.

Ato paralajmërojnë ankesë tek organet kompetente.

Si rezultat i largimit të dy profesoreshave, nxënësit e klasave të njëmbëdhjeta në shenjë revolte kanë vendosur  sot të bojkotojnë mësimin.

KALLXO.com ishte prezent kur drejtori i gjimnazit “Bedri Pejani”, Musa Nikçi, u takua me kryetarë të klasave dhe u kërkoi të mos e bojkotonin mësimin.

“Ju ishit prezent aty, i shpjeguam të gjitha detajet, ju thamë që nuk jemi fajtor për ketë punë, fajtor është ligji që është plotësuar në raport me udhëzimin e parë administrativ kur ka dalë konkursi dhe ne jemi të detyruar për të zbatuar vendimet e drejtorit të Arsimit, për të cilin mësimdhënës do te jenë këta dy të rinjtë që kanë ardhë”, tha Nikçi.

Ndërsa, e kontaktuar nga KALLXO.com, zyrtarja e Drejtorisë së Arsimit, Shqipe Gjuka, tha se konkursi i parë është anuluar nga Inspektorati i Punës pas ankesës së kandidatëve.

Sipas saj, në konkursin e rishpallur kanë konkurruar edhe dy mësimdhënëset në fjalë, por janë përzgjedhur dy kandidatë me kualifikim më të përafërt.