Reagon AGK pas publikimit të fotografisë nga një medium të të miturës së dhunuar në Drenas

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar duke thënë se kanë përcjellë mënyrën e raportimeve të gazetarëve rreth rastit të dhunimit të dyfishtë të së miturës në Drenas.

AGK tutje ka shprehur shqetësim për publikimin e fotografisë së viktimës në ueb-in e gazetës “Kosova Sot”.

“Kjo formë e raportimit është shkelje e të drejtave të njeriut, Kodit Etik dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. AGK kërkon nga kolegët gazetarë që, sidomos në raste të ndjeshme si kjo që zbulojnë identitetin e viktimës por edhe gjatë raportimit për raste të tjera, t’u përmbahen kritereve profesionale dhe etikës së gazetarisë.”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje AGK ka deklaruar se ‘mbështet vetëm punën profesionale të gazetarëve’ bazuar në respektimin e standardeve bazë të profesionit, si dhe inkurajon e informimin korrekt dhe të drejtë të publikut.