Ministri Pal Lekaj në komisionin hetimor për deportimin e turqve, Foto: KALLXO.com

Raporti për deportimin e 'gylenistëve' të hënën në Kuvend

Shumë dëshmi, të intervistuar, dyshime, janë vendosur në raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq, ngjarje kjo e cila ndodhi në mars të këtij viti.

I njëjti raport është në përfundim dhe të hënën do të dërgohet në Kuvend.

Kështu të paktën ka thënë për KALLXO.com, kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla.

“Jemi duke punuar e kemi sot një mbledhje dhe të hënën një mbledhje të komisionit. Deri të hënën do të përfundojë dhe do ta dërgojmë në kuvend”, tha Sveçla për KALLXO.com.

Nga ana e komisionit janë vërejtur parregullsi e shkelje të institucioneve në lidhje me deportimin e shtetasve turq, por kryetari Sveçla tha se për këto  shkelje do të flasin pas dërgimit të raportit në Kuvend.

Për tri herë radhas, i ftuar për të dëshmuar para komisionit ishte edhe Presidenti Hashim Thaçi.

Agjenda e tij e mbushur nuk i kishte dhënë hapësirë që ai të jap dëshminë e tij.

Por, i njëjti për tri herë nuk kishte dhënë versionin e tij ose nuk i ishte përgjigjur komisionit për mos raportimin e tij para komisionit.

Për këtë gjë, Sveçla tha për KALLXO.com se do ta bashkëngjisin në raport në të cilën do të shkruhet edhe se çfarë masash do merren ndaj Presidentit.

“Presidenti nuk është lajmëruar hiç, ai e ka injoruar komplet punën e komisionit”, tha Sveçla.

KALLXO.com kërkoi të dijë se a i kanë vërtetuar dyshimet se ish- drejtori i AKI-së, Driton Gashi nuk ka dhënë dëshminë e saktë për atë se çfarë ka ndodhur më 29 mars të këtij viti.

“Kjo do të bisedohet në dy mbledhjet që i kemi, më shumë nuk mund të flas, pasi që nuk dëshiroj të deklaroj gjëra që mund të pengojnë procesin e komisionit”, tha Sveçla.

Pas intervistave të fundit, zëvendëskryetari i komisionit, Driton Selmanaj kishte thënë se raporti nuk do të përfundoj vetëm duke u dërguar në Kuvend, por në lidhje me veprimet e institucioneve do të ketë edhe hetime të mëtutjeshme nga ana e Prokurorisë.

E kryetari Sveçla për KALLXO.com tha se Prokuroria e ka obligim të nisë hetime ndaj personave për të cilët komisioni ka ngritur dyshime për parregullsi dhe mos deklarim të të vërtetës.

“Ne kemi me nxjerr raportin si komision me rekomandime që besoj se do të shkojë edhe në prokurori, dhe prokuroria në bazë të rekomandimeve tona është e obliguar që me bo hetime ndaj tyre”, tha Sveçla.

KALLXO.com vazhdimisht ka përcjell punën e komisionit hetimor për deportimin e shtetasve turq në mars të këtij viti të cilat mund ti lexoni në këtë LINK.

Deri më tani janë marrë në pyetje, lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq: Fazli Fazliu, shef i Departamentit për të Huaj në Aeroport, Ibrahim Mustafa nga Departamenti për Emigrim në Aeroport, Rrustem Haliti, zyrtar policor në Aeroport, Hamit Rukiqi, zyrtar policor, Xhemajl Krasniqi, Naile Cakolli, nënkoloneli Shaban Guda dhe drejtori i Departamentit të Kufirit, Rrahman Sylejmani, Ish- drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, kryeministri, Ramush Haradinaj dhe sekretari e përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupi, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Shkelzen Sopjani ish ministri i MPB-se Flamur Sefaj.