Ian Smith, profesor nga Skocia. Foto: Kallxo.com

Raporti Europian: Të Shqyrtohet Ulja e Pagave në UP

Dy profesorët skocezë, Tom Hamilton dhe Ian Smith kanë prezantuar të gjeturat e këtij raporti për emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

Sipas profesorit Smith janë hulumtuar pagat bazë të profesorëve të rregullt dhe janë krahasuar me njerëz të tjerë të angazhuar në punë publike si specializantë mjekësorë apo drejtorë shkollash.

“Nëse pagat janë shumë të larta se ajo që pritet nga krahasimet kombëtare e ndërkombëtare me grupet e tjera profesionale, atëherë ne kemi sugjeruar që duhet të ketë një çështje të barazisë sociale, dhe kjo duhet të adresohet, qoftë përmes adresimit se pse kjo është kështu dhe të arsyetohet mirë. Apo, duhet të shikohet të bëhet ripërshtatja e pagave, sepse kjo është bazë për pakënaqësi për shoqërinë kosovare”, tha Smith.

Sipas gjetjeve dhe rekomandimeve të këtij raporti i nxitur nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës, shqetësuese mbetet edhe pagesat shtesë dhe oraret konfuze të profesorëve.

Ndërkaq Smith e konsideron të çuditshme edhe angazhimin si profesorë me pagesë të personave ëtikë, përkatësisht ministrave në Kosovë.

“Në sistemin tonë, ju mund të keni staf senior nga poste të tilla duke bërë ligjërata si mysafirë, pra ligjërata të papaguara, si mënyrë për t’i përmirësuar përvojat e mësimnxënies nga studentët. Mendoj që ne i shohim njerëzit tanë të akademisë si njerëz kryekëput akademikë dhe politikanët si njerëzit që janë plotësisht politikë. Ne i shohim kështu gjërat”, tha Smith.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, këtë javë i kushtohet prezantimit të të gjeturave të këtij raporti të Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian për Universitetin e Prishtinës.

Disa prej rekomandimeve ndërlidhen edhe me të gjeturat e emisionit dhe ‘Gazetës Jeta në Kosovë’, mbi mungesën e integritetit akademik të disa profesorëve dhe vetë rektorit të Universitetit të Prishtinës Marjan Dema.

Deklaratën e profesorit Smith mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: